Prokuroria ka marrë dëshminë e 6 mjekëve dhe infermierëve, lidhur me hetimet që po kryen për vdekjen e të riut 32-vjeçar Lear Kurti.
Në dëshminë e tyre bluzat e bardha mësohet të jenë shprehur se i riu ka mbërritur i pajetë në spital.
Mjekët kanë deklaruar se i kanë dhënë ndihmë mjekësore, por ka qenë e pamundur që i riu të mbijetonte.
Prokuroria po ashtu po ekzaminon pamjet e kamerave të sigurisë të Spitalit të Traumës. Veprimet e organit të akuzës, synojnë të hedhin dritë mbi një pjesë tjetër të hetimit që lidhet me gjendjen në të cilën ka shkuar ai në spital dhe mbi veprimet e mjekëve.
Më herët, për vdekjen e Kurtit, i cili ndërroi jetë më 19 Tetor pas shoqërimit nga policia, në pyetje u morën 7 punonjësit e policisë të përfshirë me veprime në ndalimin e 32-vjeçarit, por edhe dëshmitarë në ambientet e Komisariatit nr 3.
Gjithashtu, janë tërhequr materialet pranë sallës operative dhe janë marrë dëshmitë e punonjësve të turnit, të cilat dokumentojnë thirrjet për patrulla ndihmëse dhe për ambulancën, bërë nga efektivët e policisë.
Vendimtare për konkluzionet e hetimeve mbeten përgjigjet përfundimtare të autopsisë për shkakun e vdekjes. Prokuroria po heton për akuzën e veprimeve arbitrare dhe mosdhënie të ndihmës, por nuk ka emra të regjistruar si të dyshuar.