Aktualitet Pedagogët: Nëse qeveria nuk reagon ndaj kërkesave tona, të mërkurën grevë urie

Pedagogët: Nëse qeveria nuk reagon ndaj kërkesave tona, të mërkurën grevë urie

Pedagogët do të nisin të mërkurën grevën e urisë, nëse kushtet e tyre nuk plotësohen nga qeveria.

“Deri tani qeveria ka treguar se nuk ka veshë për të dëgjuar kërkesat tona dhe nuk ka dëshirë për të reaguar për të gjetur zgjidhje, por si gjithmonë ofron zgjidhje kozmetike, edhe ato më shumë në trajtë premtimesh, për sa kohë nuk janë shoqëruar me akte normative”, tha Sandër Kovaçi, kryetari i Sindikatës së Punonjësve Universitarë.

“Në këto kushte, pas një diskutimi të gjatë me përfaqësues të sindikatës por edhe me stafet akademike, është propozuar që protesta të kalojë në trajtën e grevës së urisë, që në këtë fazë mund të bëjë efekt të sensibilizojë opinionin e brendshëm dhe të huaj që të detyrojë qeverinë dhe politikën në përgjithësi që ta vendosë arsimin si prioritet kombëtar. Ndaj kërkojmë një “po” të madhe për këtë akt të padëshirueshëm, por të nevojshëm. I lëmë qeverisë edhe dy ditë kohë, për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së kërkesave tona. Për ndryshe, të mërkurën, ora 16:00, të gjithë të jeni këtu në shenjë solidariteti për të gjithë ata bijë e bija që kanë marrë përsipër këtë akt”.

Si nisi protesta?

Që në korrik të këtij viti, 3 muaj para nisjes së vitit akademik, pedagogët paralajmëruan se do të bojkotonin mësimin.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Protesta është pasqyruar gjerësisht se pedagogët kërkojnë rritje rroge. Por në një listë të publikuar që në ditët e para të protestës ata kanë gjithsej 9 kërkesa.

1- Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës me 50% brenda dy viteve (2022-2023).

2- Rritja e financimit për kërkimin shkencor.

3- Rivendosja e shtesave mbi pagën për “Dëshmi shëndeti në punë”.

4- Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë.

5- Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare.

6-Rivlerësimi i orës mësimore

7- Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare

8- Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.

9- Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Çfarë propozon qeveria?

Qeveria ka marrë vendim të rrisë me 15% rrogën e punonjësve të universiteteve. Kjo do të ndahet në 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga buxheti i vetë universiteteve, para që arkëtohen nga pagesat e studentëve.

Ku ndahen palët?

Kryeministri Rama ka deklaruar disa herë se nuk do të ketë rritje përtej këtij limiti, ndërsa pedagogët këmbëngulin tek kërkesat e tyre, duke kërcënuar në nisjen e grevës së urisë.