Gara për drejtimin e SPAK do të ketë rivalitet.
Pas Adnan Xholit, edhe prokurorët Edvin Kondili dhe Altin Dumani zyrtarizuan kandidimin për këtë post.
Edvin Kondili dhe Altin Dumani dorëzuan në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kandidaturat duke aspiruar për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Javën e kaluar i pari që ‘theu akullin’ ishte prokurori Adnan Xholi.
Kondili, Xholi dhe Dumani, të 3 prokurorë karriere dhe të lidhur ngushtë në Prokurorinë e Posaçme pjesë e të cilës kanë qenë edhe në kohën kur mbante emrin Prokuroria për Krime të Rënda, do të konkurrojnë me njëri-tjetrin për aftësitë e tyre drejtuese dhe menaxhuese.
Kandidatët kanë dorëzuar edhe platformat e tyre, të cilat pritet të shqyrtohen nga KLP, bashkë me statistikat mbi punën e tyre gjatë ushtrimit të funksionit si prokurorë të posaçëm.
Në korridoret e prokurorisë më të rëndësishme në vend, përflitet edhe një tjetër emër që synon t’i bashkohet garës, megjithatë do të pritet data 2 nëntor për të mësuar nëse do të dorëzojë zyrtarisht kandidaturën pranë KLP-së.
Ndërkohë, asnjë nga prokuroret femra të SPAK edhe pse janë 5 nuk ka preferuar të kandidojë për të drejtuar strukturën anti-korrupsion.