Paul Pogba po kalon fazën më të vështirë të karrierës. Ndërsa parashikohej rikthimi i tij me Juventusin, një tjetër problem muskulor e ka ndaluar, që në këtë pikë do të rikthehet në fushë me Juventusin vetëm në 2023 dhe ka humbur Botërorin. Mesfushori francez ka ndier dhimbje në kofshën e djathtë, e njëjta këmbë ku operoi gjurin 2 muaj më parë.
“Pas vizitave mjekësore dje dhe sot në Torino dhe Pittsburgh, është jashtëzakonisht e dhimbshme të komunikosh se Paul Pogba do të ketë ende nevojë për kohë për t’u rikuperuar nga operacioni. Për këtë arsye, Paul nuk do të të jetë në gjendje të bashkohet me ekipin e Juventusit para pushimit të Kupës së Botës ose me kombëtaren franceze në Katar”, shkroi në një postim menaxherja e francezit, Rafaela Pimenta.
Pogba ishte rikthyer të stërvitej prej pak ditësh me grupin, teksa synonte të vishte sërish fanellën bardhezi për të kapur ëndrrën Katar 2022, objektiv që fillimisht e kishte detyruar të ndiqte një terapi që përjashtonte ndërhyrjen kirurgjikale, para se t’i dorëzohej operacionit, duke parë zgjatjen e kohës së dhimbjes që nuk i lejonte të stërvitej. Në këtë sezon Pogba nuk ka luajtur ende një minutë në ndeshje zyrtare me Juventusin.