Kemi hyrë në nëntor, në muajin kur skadon kontrata e trajnerit të Kombëtares, Edy Reja. Gjasat më të mëdha janë që ai të largohet pas miqësoreve të këtij muaji, pavarësisht se vetë trajneri dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka kanë lënë të hapura bisedimet.
Në një situatë të tillë, nuk është sekret që Shqipëria po kërkon një trajner të ri dhe kandidat potencial mbetet ish-mesfushori i Italisë, Luigi Di Biagio. Ai drejton Italinë U-21 aktualisht, por është fakt se ka pasur kontakte me drejtuesit e FSHF-së.
Një tjetër indicie që e ‘bën’ Di Biagio-n trajner të kuqezinjve vjen nga përtej Adriatikut. Shtypi sportiv italian shkruan se Di Biagio ka refuzuar stolin e Cosenza në Serinë B, sepse do të marrë drejtimin e Shqipërisë.
Tani mbetet që kjo pistë të konkretizohet dhe ish-lojtari i Interit të jetë italiani i radhës që drejton Kombëtaren tonë.