Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë lëshuar për herë të parë raketa në ujërat e brigjeve të njëra-tjetrës. Seuli u hakmor tre orë pasi Pheniani lëshoi një raketë që u ul më pak se 60 km nga qyteti jugor Sokcho.
Raketa ra jashtë ujërave territoriale të Koresë së Jugut, në atë që presidenti i Koresë së Jugut, e quajti një “akt të cenimit territorial”. Koreja e Veriut gjuajti të paktën 10 raketa në drejtimet lindore dhe perëndimore kanë bërë të ditur zyrtarët e Koresë së Jugut. Hedhja e raketave bëri që sirenat e alarmit të binin në të gjithë ishullin jugor Ulleung dhe banorëve iu bë thirrje që të evakuoheshin në strehimoret nëntokësore.
Autoritetet japoneze dënuan me shpejtësi përshkallëzimin nga Pheniani. Seuli e cilësoi atë një pushtim territorial dhe u zotua për një përgjigje të shpejtë dhe të vendosur.
Sipas ligjit ndërkombëtar, vendet mund të krijojnë pretendime territoriale vetëm për 12 milje detare në kufi me tokën e tyre por mediat shkruajnë se raketa këtë herë ra jashtë këtij kufiri. Lëshime të tilla vijnë një ditë pasi Veriu kërcënoi SHBA-në dhe Korenë e Jugut për stërvitjet e tyre të përbashkëta ushtarake, duke thënë se SHBA dhe Koreja e Jugut do të duhet të përballen me një përgjigje shumë të ashpër dhe të paguajnë çmimin më të tmerrshëm në histori.
Ekziston shqetësimi se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un mund të jetë duke përgatitur terrenin për testin e parë të armëve bërthamore në pesë vjet. Pheniani ka testuar një numër rekord raketash këtë vit.
Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kishin bërë gjithashtu të qartë se do të kishte kosto dhe pasoja nëse Koreja e Veriut rifillonte testimin bërthamor, i cili do të ishte një hap i rrezikshëm, destabilizues.
Në një telefonatë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e cilësoi lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut të paprecedentë dhe një akt të rëndë provokimi ushtarak. Të dy zyrtarët dënuan lëshimin dhe ranë dakord të bashkëpunojnë kundër kërcënimeve të Koresë së Veriut.