A do t’i bëjë Kina shantazh Gjermanisë? Çështja është bërë më urgjente nën ndikimin e luftës në Ukrainë. A do të përsëritet gabimi si me Rusinë?
Të enjten (3 nëntor), pas tre vjetësh politike izolimi ndaj Kinës, kancelari Olaf Scholz do të jetë kreu i parë i një qeveri perëndimore që do të udhëtojë në Pekin me një delegacion biznesi. Kina është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, ndërsa ekonomia gjermane po investon shumë atje. Në shtator, koncerni BASF hapi një fabrikë të madhe prodhimi në Zhanjiang, në jug të Kinës. Dhjetë miliardë euro do të derdhen në një fabrikë deri në vitin 2030. Rreth dy të tretat e rritjes së BASF pritet të vijë nga Kina deri në fund të dekadës. Industria gjermane e automjeteve po investon gjithashtu shumë në Kinë. 40 për qind e të gjitha makinave Volkswagen shiten në Kinë. Pasi Kombet e Bashkuara ritheksuan shkeljet e të drejtave të njeriut dhe punën me detyrim në rajonin perëndimor kinez të Xinjiang në verë, VW refuzoi të mbyllte fabrikën e saj në atë rajon.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi javën e kaluar se VW po planifikonte një sipërmarrje të madhe të përbashkët softuerësh me kompaninë kineze të teknologjisë Horizon Robotics. Parashikohet të investohen dy miliardë euro. Një tjetër marrëveshje e diskutueshme me kompaninë shtetërore kineze Coscobëri bujë javën e kaluar. Kompania e anijeve dëshironte të merrte aksione në një terminal kontejnerësh në portin e Hamburgut, i cili konsiderohet një infrastrukturë kritike në Gjermani. Kancelari Scholz, ish-kryetar i bashkisë së Hamburgut, e mbështeti marrëveshjen përkundër paralajmërimeve nga ekspertët kinezë dhe rezistencës në kabinet.
Problemi i Tajvanit
Pra, a po bën Gjermania të njëjtat gabime në raport me Kinën siç bëri me Rusinë, duke e bërë veten tepër të varur ekonomikisht nga shtetet që shpërfillin haptazi ligjin ndërkombëtar (si Rusia që sulmon Ukrainën) ose duke përdorur indirekt forcën ushtarake për të zbatuar pretendimet e tyre territoriale? Edhe një herë, kreu i shtetit të Kinës dhe lideri i partisë Xi Jinping riafirmoi politikën e tij në Tajvan në kongresin e 20-të partiak, të mbajtur ditët e fundit: “Ribashkimi duhet dhe do të arrihet,” tha ai, duke fituar duartrokitje të shumta nga rreth 2.300 delegatë në Sallën e Madhe të Popullit. Kjo përkundër faktit se ribashkimi po bëhet gjithnjë e më pak i dëshirueshëm për tajvanezët, e në veçanti jo nën sundimin e Partisë Komuniste. Por Xi pohon se “Tajvani është Tajvani i Kinës. Është në dorën e kinezëve të zgjidhin çështjen e Tajvanit”. “Forcat e jashtme” nuk duhet të përzihen.
Ekspertët nga Instituti kërkimor i Berlinit në Kinë MERICS nuk presin që në vitet e ardhshme të shpërthejë një luftë në Tajvan, për sa kohë që të gjitha palët arrijnë të shmangin përplasjet e paqëllimshme dhe të parandalojnë që konfliktet e vogla të përshkallëzohen në konfrontime në shkallë të gjerë. “Por nëse do të kishte një luftë, dy fuqitë më të mëdha në botë, SHBA dhe Kina, do të luftonin njëra-tjetrën në një rajon që është edhe më i rëndësishëm për ekonominë globale sesa Evropa Lindore”, thotë Bernhard Bartsch nga MERICS.
Shumë fusha të ekonomisë gjermane do të preken. Kina ka një monopol tregu në minerale të rralla dhe në metale. Nga tridhjetë lëndët e para që BE i klasifikon si “kritike”, 19 vijnë kryesisht nga Kina. Ato përdoren për prodhimin e telefonave celularë, llambave LED, motorëve elektrikë, qelizave diellore dhe çipave kompjuterikë. Prandaj, tranzicioni gjerman i energjisë varet kryesisht nga furnizimet nga Kina.
“Të ulet varësia”
Pavarësisht këtyre rreziqeve gjeopolitike dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kinë, Gjermania po zgjeron marrëdhëniet e saj ekonomike me këtë vend. Por jo vetëm partia Bündnis 90/Die Grünen, pra ekologjistët gjermanë, e cila ka Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Ekonomisë në qeverinë federale, po bën thirrje që këto varësi të reduktohen në mënyrë që një ditë të mos lejojnë që Gjermania të shantazhohet, siç ishte rasti me Rusinë. Shërbimi Federal i Inteligjencës paralajmëroi kohët e fundit se Gjermania është futur në një “varësi të dhimbshme” nga një fuqi që papritmas më nuk është siç ka qenë.
“Ne duhet të çlirohemi hap pas hapi nga varësia jonë e vetëimponuar nëse nuk duam ta humbim lirinë tonë hap pas hapi,” thotë Michael Brand (CDU/CSU). Kryetari i Komitetit të Bundestagut Gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare vizitoi Tajvanin javën e kaluar. Kina ka “një pretendim totalitar” dhe e përfaqëson atë “globalisht dhe me qëllim”. Shtetet e Bashkuara tashmë po e ndërmarrin këtë hap. Kohët e fundit, kufizimet e eksportit për çipat kompjuterikë në Kinë janë shtrënguar ndjeshëm. Apple dëshiron të prodhojë më shumë në Indi dhe Vietnam në të ardhmen.
Strategjia e re për Kinën
Qeveria federale gjermane ka njoftuar edhe për një strategji të re ndaj Kinës prej vitit 2023, e cila thuhet se është shumë më kritike ndaj Pekinit sesa në kohën e ish-kancelares Angela Merkel. Ministria e Jashtme Federale është në krye, nën ministren Annalena Baerbock, e cila e ka përshkruar Kinën si një “rivale sistematike” që nga fillimi i mandatit të saj në detyrë dhe ka trajtuar hapur shkeljet e të drejtave të njeriut. Megjithatë, çështje kritike si shkeljet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, situata në Hong Kong, konflikti i Tajvanit dhe një rajon i lirë Indo-Paqësor janë përfshirë tashmë në marrëveshjen e koalicionit midis partnerëve në Gjermani – të Gjelbërve, SPD dhe FDP. Aty thuhet se të gjitha çështjet duhet të hapen dhe trajtohen, edhe ato që Pekini nuk i diskuton dhe pëlqen. Por për sa kohë që marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë lulëzojnë, qeveria e Xi Jinping nuk do të mbetet e impresionuar nga njoftimet për një politikë më kritike gjermane ndaj Kinës./DW