Nga Blendi Fevziu
Kjo grua e moshuar ka qenë sot dhimbja e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. E qara e saj e trishtë që mbytej nga zgërdhirjet e disa punonjëseve të shtëpisë së pleqve, përpara një telefoni që regjistronte atë skene thuajse makabre, nuk do të kishte ndodhur nëse jeta s’do kishte rezervuar një tjetër surprizë të trishtë për të.
Kjo nënë kishte një djalë. Ajo do ishte sot me të, e me siguri, do kishte qenë e kënaqur dhe e lumtur me nipat e mbesat në shtëpinë e tij. Por djali nuk e lumturoi dot. Në momentin më të rëndësishëm e më delikat të vendit te tij, Taulant Nuraj vendosi t’i bashkohet UÇK-së. Ai vendosi të mbrojë me jetën e tij jo vetëm te moshuarit, por edhe gjithë qytetarëve të Kosovës që kërcënoheshin nga dhuna serbe.
Ai ra dëshmor në afërsi të Gjakovës në vitin 1999. Duke lënë pas një foto të vetme, me një buzëqeshje dhe me bindjen që shteti për të cilin po flijohej do ta meritonte sakrificën e tij. Që prej vitit 1999 kjo nënë digjet në dhimbjen për djalin që humbi, por me siguri edhe me krenarinë që ai ra dëshmor për këtë vend.
Por vendi të cilit ajo i flijoi djalin e saj, i ka rezervuar sot një skenë që të ngjeth. Gruaja e vetmuar goditet në një shtëpi pleqsh, nga dy vajza, të dyja me uniforme, ndërsa një e tretë e filmon skenën me siguri për ta shfaqur me krenari në ndonjë nga ndenjjet banale të kësaj kategorie që s’ka asgjë të përbashkët me qenien njerëzore. Apo pse jo për ta bërë edhe virale në TikTok. Sot ato dy vajza nuk kanë goditur vetëm një të moshuar, që në vetvete është mëkati më i madh në këtë bote. Sot ato dy vajza kanë goditur mbi ëndrrën e mijëra dëshmorëve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, pa dhunën me të cilën serbët kërcënonin shqiptarët. Ato vajza kanë goditur mbi besimin e një kombi të tërë që respektin ndaj të moshuarve e ka pasur në thelb të filozofisë së tij. Sot ato nuk kanë goditur një nënë pa djalin e saj. Sot ato kanë goditur secilin nga ne, ndaj secili prej nesh duhet të ndjejë në fytyrë ato goditje dhe atë turp…