Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës pas samitit të “Procesit të Berlinit” u shpreh se pret që ato që u diskutuan ditën e sotme në takim të kenë përparim në samitin e ardhshëm që do të zhvillohet në Tiranë. Dhe këtu nuk la pas falenderimet për faktin që Shqipërisë i është besuar mbajtja e samitit të radhës.
Rama foli edhe për krizën energjetike dhe tha se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ndjejnë më veten të lënë mënjanë. Po ashtu, ai theksoi se marrëveshjet e nënshkruara sot janë shumë të rëndësishme. Rama tha se pret me padurim që Kosovës t’i liberalizohen vizat për në BE.
“Kur u mblodhëm këtu për herë të parë nuk ishim takuar me njëri-tjetrin në atë mënyrë për shekuj. Kurse tashmë kjo është ajo që të gjithë duam të bëjmë. Do doja të falenderoja nga zemra kancelarin Scholz për mikpritjen e shkëlqyer, për bukën e mrekullueshme gjermane, dhe së fundmi në radhë që i besoni Shqipërisë dhe mua që të mikpresim samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Shpresoj shumë që ajo çfarë u diskutua sot dhe që u shënua me kujdes në shënimet e kancelarit do të shohë ecuri në samitin tjetër në Tiranë duke nisur nga kriza energjetike ku ne e ndjejmë që nuk jemi lënë mënjanë, që nuk jemi vetëm, sepse vetëm pak ditë më parë, Presidentja e KE, Ursula zhvilloi një turne në Ballkan dhe nuk solli me vete vetëm fjalë të bukura solidariteti, por edhe një mbështetje të rëndësishme financiare. Natyrisht nuk është e fundit. Po shohim ecuri në pjesën e ndërlidhjes. Kjo nuk lidhet me ndërlidhjen e infrastrukturës dhe rrugëve tona në vendin tonë, por ka lidhje me ndërlidhjen e rajonin tonë me Europën. Shpresoj të shohim ecuri në sferën dixhitale. Sot po përballemi dhe me aspektin e sigurisë kibernetike. Ne duam t’i shohim gjërat të ecin në drejtimin e duhur për të rinjtë tanë. Ne e kemi ngritur sërish çështjen si të integrohemi sa më shpejt të jetë e mundur me sistemin arsimor të lartë europian për universitetet tona. Gjithashtu për mënyrën si mund të kemi një prani më të madhe nga Gjermania dhe vendet e tjera të zhvilluara të BE përmes sektorit të tyre privat dhe jo vetëm përmes financimit publik. Dua të them se është shumë e rëndësishme ajo çka nënshkruam sot. Nuk mund të mos theksoj se këto marrëveshje ishin tri marrëveshje të cilat prisnim me pa durim që ti kishim që para 2-3 vitesh. Ishin të bllokuara. Kancelari, ekipi i tij, punuan shumë fort së bashku me njerëzit tanë që të bindnin gjithkënd që ti nënshkruanin.
Lajm i shkëlqyer që sot patëm 3 nënshkrime, të cilat i kishim në kuadrin e Ballkanit të Hapur. Është e rëndësishme tashmë që gjithkush është i përfshirë në rajon në këtë kuadër të tre marrëveshjeve. Tingëllon e çuditshme apo paksa mënjanuese, po themi për popullin e Kosovës, që ndërkohë që ata bënë një marrëveshje me kartat e identitetit për të lëvizur lirisht, ata nuk mund të lëvizin po lirisht si të tjerët në rajon kur vjen fjala që ata të lëvizin në BE. Pres me padurim që kjo të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Rama.