Nga Thomas L. Friedman
Kur historianët në të ardhmen të shohin pas në vitin 2022, do të kenë shumë mundësi zgjedhje kur të pyesin: Cila ishte gjëja më e rëndësishme që ndodhi atë vit? Ishte Brexit, Chexit, Ruxit apo Trumpit?
Ishte shkrirja e ekonomisë së gjashtë më të madhe në botë, Britanisë? Ishte tentativa e Vladimir Putin për të fshirë Ukrainën nga harta, Ruxit? Duke krijuar trazira në tregjet e energjisë dhe ushqimit. Ishte gënjeshtra e Trump se zgjedhjet e 2020-s u vodhën, Trumpit, duke gërryer asetin më të dashur të demokracisë sonë: aftësinë tonë për të transferuar pushtetin në mënyrë paqësore dhe legjitime?
Apo ishte Kina në drejtimin e presidentit Xi Jinping, Chexit, një fund i katër dekadave të integrimit të qëndrueshëm të ekonomisë së Kinës me Perëndimin, një fund i simbolizuar si K.P.K: Kudo përveç Kinës.
Është e vështirë. Dhe thjesht duke i renditur e kupton se sa histori ka në 2022-shin. Vota ime shkon për Chexit.
Kemi pasur një marrëdhënie prej 4 dekadash Kinë-SHBA që më shumë ka ndihmuar konsumatorët amerikanë. Kjo çoi në mundësi të reja eksporti për disa amerikanë dhe papunësi për të tjerët, në varësi të industrisë në të cilën ata ishin. Ndihmoi në nxjerrjen e qindra miliona kinezëve nga varfëria ekstreme. Uli inflacionin dhe parandaloi çdo luftë të fuqive të mëdha.
Në vetvete, na mungon ajo periudhë tani që nuk është më, sepse bota do të ketë më pak mirëqenie, më pak integrim dhe më pak stabilitet gjeopolitik.
Por ka ikur tashmë.
Siç tha eksperti i çështjeve në Kinë, Evan Osnos “Në 2012-n, 40% e amerikanëve kishin përshtypje negative për Kinën, sot 80% mendojnë keq.”
Nëse Kina do të kishte një qeveri demokratike, dikush atje do të kërkonte të dinte “Si e humbëm Amerikën?”
Amerika nuk është e pafajshme në këtë marrëdhënie. Që nga Lufta e Dytë Botërore e nuk kemi pasur asnjë rival gjeopolitik që ngjante me ne në ekonomi dhe ushtri. Nuk kemi qenë kurrë rehat me fuqizimin e Pekinit, sidomos sepse ata nuk u fuqizuan nga nafta, por nga kursimi, puna e fortë dhe “detyrat e shtëpisë”, një gatishmëri për të sakrifikuar për të arritur madhështinë kombëtare, me fokus të fortë në arsim dhe shkencë. Të tillë ishim ne.
Por më shumë nga kjo është në Kinë. Për të vlerësuar sa keq Kina humbi Amerikën, niseni me këtë pyetje: “Si ka mundësi që patët lobuesit më të fortë në Uashington, pa asnjë kosto dhe prap e shkatërruat?”
Po i referohem Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë dhe Dhomës së Tregtisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Kinë. Këto grupe të fuqishme biznesi, që përfaqësojnë kompanitë më të mëdha shumëkombëshe të Amerikës, lobuan fuqishëm për gati katër dekada që më shumë tregti me Kinën, dhe investime në Kinë dhe nga Kina, ishin një fitim dyanësh. Kështu bëri Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Europian në Kinë.
Sot këta lobues heshtin.
Çfarë ndodhi?
Nisi në 2003-shin, pak pasi Kina u pranua në Organizatën Botërore të Tregtisë, OBT, (faleminderit Amerikës), kur avokati kryesor për reformat e tregut në Kinë – Kryeministri Zhu Rongji – dha dorëheqjen. Zhu besonte se kompanitë amerikane duhet të ishin në Kinë, sepse ata duhet të garonin me më të mirët në shtëpi që të bëheshin më të mirët jashtë saj.
Por Zhu u kundërshtua nga shumë provinca të brendshme të Kinës, të cilat dominoheshin nga industritë shtetërore kineze, të cilat nuk kishin asnjë interes apo aftësi për të konkurruar globalisht. Ata u bënë gjithnjë e më me ndikim.
Kur Kina u bashkua me OBT dhe fitoi akses të jashtëzakonshëm pa tarifa ose me tarifa të reduktuara në tregjet perëndimore, ajo premtoi të nënshkruante një marrëveshje anësore për prokurimet qeveritare që do të kufizonin aftësinë e Kinës për të diskriminuar furnizuesit e huaj kur bën blerje të mëdha qeveritare. Por Kina nuk e nënshkroi kurrë atë. Në vend të kësaj, ajo vazhdoi të drejtonte fuqinë e saj të jashtëzakonshme blerëse shtetërore drejt industrive të saj shtetërore dhe vazhdoi gjithashtu t’i subvenciononte ato.
Shumë industri kineze kopjonin ose vidhnin pronën intelektuale nga kompanitë perëndimore që kishin ndërtuar fabrika në Kinë. Më pas, industritë kineze përdorën tregun e tyre të brendshëm për të fituar fuqi dhe më pas ata konkurruan kundër të njëjtave kompani perëndimore brenda dhe jashtë vendit dhe u subvencionuan nga Pekini.
Habiteni pse eksportet europiane në Kinë sot janë vetëm pak më të mëdha se ato në Zvicër?
Kjo është arsyeja pse shumë kompani amerikane dhe europiane “mbyllën sytë” në manipulimet e tregut të Kinës, sepse ata ende po fitonin para atje, ankoheshin ndaj qeverive të tyre , por duke u kërkuar atyre që të mos ankoheshin në Pekin nga frika e hakmarrjes , sot zgjerojnë zinxhirët e tyre të furnizimit kudo përveç Kinës. Edhe Apple tani po diversifikon prodhimin për t’u mbështetur më shumë në Vietnam dhe Indi.
“Komuniteti i biznesit në SHBA e dashuronte Kinën. Kishte gjithmonë tensione, por edhe bashkëpunim”, -thotë Jim McGregor, konsulent biznesi në Kinë.
Tani e kuptoj pse biznesmenët amerikanë që punonin në Kinë më thonin se Trump nuk ishte presidenti amerikan që Amerika meritonte, por ishte presidenti amerikan që Kina meritonte. Dikush duhet ta fitonte lojën nga ne.
Tani presidenti Xi ka bërë të njëjtën gjë në anën e tij. Joerg Wuttke, presidenti i Dhomës së tregtisë europiane në Kinë tha se mundësia e rizgjedhjes së Xi do të thotë se hapja e ekonomisë së Kinës nuk do të vazhdojë. “Duhet të kuptojmë se Kina do ta largojë veten nga vendet e tjera dhe do të krijojë një kontramodel të përqendruar ekonomik”.
Një tjetër ngjarje daton që nga pasojat e sheshit Tiananmen në 1989, kur udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze u përpoq të zbehte aspiratat demokratike të rinisë së Kinës me një zjarr hiper-nacionalizmi. Kolegia ime në Pekin, Vivian Wang intervistoi kohët e fundit shkrimtarin politik Wang Xiaodong, i konsideruar prej kohësh flamurtari i nacionalizmit kinez, i cili dikur tha se “marshimi përpara i Kinës është i pandalshëm”. Megjithatë, Wang Xiaodong i tha The Times se nën drejtimin e Xi, lëvizja kineze e nacionalizmit, e nxitur nga influencues të tjerë në mediat sociale, kishte shkuar shumë larg: “Më kanë quajtur kumbari i nacionalizmit. Unë i kam krijuar ato. Por kurrë nuk u thashë atyre të ishin kaq të çmendur.”
E shijova pak këtë ë 2018-n, kur isha në Kinë duke folur me biznesmenë dhe qeveritarë. Kur përmenda praktikat e padrejta tregtare të Kinës, reagimi ishte kështu: “A e kuptoni se ju amerikanët jeni shumë vonë? Ne jemi shumë të mëdhenj për t’u shtyrë më. Ju duhet ta kishit bërë këtë një dekadë më parë.” Unë u përgjigja se kjo lloj mendjemadhësie i vë vendet në telashe.
Por ngjarja e fundit është më e forta: Në vend që ajo të importojë vaksinat perëndimore, Kina ka zgjedhur të ndjekë politika të “zero Covid”, duke bllokuar të gjithë qytetet dhe duke përdorur çdo mjet mbikëqyrës: dronë, njohje me fytyrë, kamera televizive me qark të mbyllur kudo, gjurmim celularësh dhe madje edhe gjurmim të klientëve të restoranteve, të cilët duhet të paraqesin një kod QR për t’u skanuar dhe regjistruar.
Ajo që Xi nuk arrin të kuptojë është se të gjitha teknologjitë më të avancuara të shekullit të 21-të – si gjysmëpërçuesit dhe vaksinat mRNA – kërkojnë zinxhirë të mëdhenj e kompleks furnizimi global, sepse asnjë vend nuk mund të jetë më i miri në secilin prej komponentëve të tyre gjithnjë e më të sofistikuar. Por zinxhirë të tillë furnizimi kërkojnë shumë bashkëpunim dhe besim midis partnerëve, dhe kjo është pikërisht ajo që Xi ka shpërdoruar në dekadën e fundit.
Besimi i Xi-së se Kina mund të jetë më e mira në gjithçka e vetme është si të besosh se ekipi i basketbollit të Kinës mund ta mposhtë gjithmonë ekipin e basketbollit me më të mirët e botës.
Më bën dyshues.
Por edhe më merakos. E pranoj, nuk më pëlqen të përdor termin “Kinë”. Unë preferoj shumë “një të gjashtën e njerëzimit që flasin kinezisht”. Ajo kap shkallën e vërtetë të asaj me të cilën kemi të bëjmë. Unë dua të shoh popullin kinez të lulëzojë; është mirë për botën. Por ata po shkojnë në rrugën e gabuar sot. Dhe kur 1/6 e njerëzimit bën një kthesë të gabuar në botën tonë ende shumë të lidhur, Kina, për shembull, ende mban pothuajse 1 trilion dollarë borxh të Thesarit të SHBA, të gjithë do të ndiejnë dhimbjen e tyre./New York Times
*Thomas Loren Friedman është një analist politik dhe autor amerikan. Ai është fitues i treçmimeve Pulitzer, dhe kolumnist i përjavshëm për The New York Times.