33.5 kilogramë kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit brenda një konteineri me arka me banane të ardhura nga Ekuadori.
Policia e Durrësit thotë se konteineri me arkat e bananeve ishte porosi e bërë nga një firmë në Tiranë.
Nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër, përveç arkave me banane, e për këtë arsye, u ushtrua kontroll i imtësishëm për shkak të informacioneve që kishte policia.
Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, u gjetën 31 pako me kokainë në dy arka bananesh, me peshë totale 33.5 kilogramë.
Policia ka shoqëruar 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.