Politika Avokatja Adriana Kalaja futet në primaret e PD për Tiranën

Avokatja Adriana Kalaja futet në primaret e PD për Tiranën

Avokatja Adriana Kalaja u fut zyrtarisht në garën e brendshme për të zgjedhur kandidatin që do të përfaqësojë opozitën në zgjedhjet vendore të 14 majit për Bashkinë e Tiranës. Avokatja, e cila përgjatë viteve të fundit ka qenë mjaft aktive sidomos në protestat për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, tha në fjalën e saj që futej në garë “për të pastruar me themel qytetin”.

“E lindur dhe rritur në Tiranë, nga një familje e thjeshtë por me tradita dhe parime morale, prindërit e mi kanë ushqyer tek unë dashurinë për Tiranën dhe identitetin e saj, vlerësimin për historinë qindravjeçare të saj, si edhe vlerat e larta për të qëndruar në krah gjithmonë të atyre, që kanë nevojë dhe të pamundurve”, tha Kalaja në fjalën e saj.

Kalaja thotë se ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, Dega Financë në vitin 1987 dhe në 2010 Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik. Po kështu, ka ushtruar profesionin e mësueses në degët bazë të financës dhe ekonomisë për vitet 1998-2009.

“Si grua, qytetare, nënë dhe gjyshe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të marrësh përsipër sfida të tilla, aq më shumë kur përballë ke një pushtet, që ka deligjitimuar votën dhe garën, i cili mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me mafian dhe krimin për të vjedhur votat. Por mua më pëlqen të sfidoj dhe të luftoj. Më pëlqen të luftoj për atë që është e drejtë dhe të fitoj”, tha Kalaja. “Ndiej dhimbje, tek eci në rrugët e Tiranës sime, të Tiranës sonë dhe nuk gjej asnjë objekt t`ua tregoj fëmijëve të mi sot dhe nesër, nipave apo mbesave. Ne e shohim çdo ditë, se Erion Veliaj dhe të gjithë ata, që i shërbejnë, nuk ndalen. Madje çdo ditë, aktet korruptive dhe veprat penale, që konsumojnë, konkurrojnë njëra – tjetrën dhe jemi edhe në vështirësi kohore për t`i denoncuar ato. Por ne duhet t’i ndalim. Ne do t`i ndalim!”.

Kalaja u uroi suksese rivalëve të tjerë në garën e brendshme në PD Belind Këlliçit, Ilir Alimehmetit dhe Gert Bogdanit dhe tha se do të pranojë çdo rezultat që del nga votimi.