Kisha katolike në Shqipëri ka dalë në një konferencë shtypi ku ka folur për fenomenin e shpopullimit të Shqipërisë.
Sipas Imzot Angelo Massafra duhet ngritur zëri nga populli në mënyrë që organet kompetente shtetërore të marrin masa dhe t’i vënë fre kësaj fatkeqësie.
“Pas çdo personi apo familje që përpiqet të emigrojë, ekziston rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore nga grupet e ndryshme të strukturuara kriminale dhe përdorimi i tyre për qëllime po kriminale jashtë vendit,” – tha Imzot Angelo Massafra
Pyetjet që u ngritën gjatë konferencës së shtypit lidheshin me të ardhmen e vendit. Nëse vendi shpopullohet atëherë kujt do i ngelen pasuritë, ishte çështja që shqetësonte Kishën Katolike.
“Është më tepër se evidente nevoja e ndërmarrjes së politikave të drejta dhe koordinimi i të gjithë faktorëve shoqërorë të vendit, për një dialog i cili sjell zgjidhjet e duhura. Nga ana jonë si Kishë Katolike, shprehim gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë dialog si palë ndërmjetëse mes organizmave shtetëror. Po ashtu, jemi të gatshëm që të shpalosim sugjerime e projekte për këtë qëllim,” – u shpreh Imzot Angelo Massafra.
Ai tha se ishin të vetëdijshëm që problemi nuk është vetëm i liderëve të vendit, por dhe i shqiptarëve që duhet të ndërgjegjësohen.
“Jemi të gjithë bashkëpërgjëgjës, secili sipas pjesës që i takon, në funksionimin pozitiv ose negativ të jetës sociale të Shqipërisë. Askush nuk mund t’i delegojë të ardhmen e vet një sistemi politik as iluzionit të një jete më të mirë diku tjetër,” – tha Imzot Angelo Massafra.