Nga Lushnja gjatë një takimi me banorë ku prezantoi investimet dhe projektet e tjera për qytetin, kryeministri Edi Rama premtoi se do të ketë sërish rritje të pagës minimale, e sipas tij, kjo është e nevojshme për të ndihmuar qytetarët.
“Edhe pagat do vazhdojnë të rriten, do rrisim dhe pagën minimale përsëri. Ja u përsëris sipërmarrësve vazhdimisht. Është koha të rrisni pagat. Pagat janë më të larta në Shqipëri se ato që deklarohen. Sot e tha copë njëri, i PD-së ai, po këta të PD-së janë në rregull. Këta ne na kanë shërbëtorë. Me ne bëjnë sukses në biznes. Ne, tha, i kemi pagat më të larta se sa i deklarojmë.
E mo xhan, i thashë, por në sektorin e bujqësisë ne jemi shumë të kujdesshëm që mos ngacmojmë me kontrolle etj. Ama do ta rrisim pagën minimale përsëri. Tani unë e di që 340 mijë Lekë (të vjetra) është pagë e ulët, kjo nuk diskutohet, por di që ka qenë 180 mijë Lekë.
Tani është më e lartë. Por në këtë kohë do ta rrisim, do e rrisim menjëherë në fillim të vitit, në hyrje të vitit tjetër, do e rrisim përsëri dhe ndërkohë do të mundohemi gjithmonë e më shumë t’i bindim sipërmarrësit që duhet t’i rrisin pagat, është koha për t’i rritur pagat, për t’i formalizuar, sepse njerëzit kanë nevojë të jenë më të sigurt”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti gjithashtu vendosjen e taksës së jashtëzakonshme për prodhuesit e mëdhenj të energjisë në vend, të ardhurat e të cilave do të përdoren për pensionistët, për familjet në nevojë dhe kategori të tjera.