Aktualitet Plagosi rëndë ish-vjehrrit, ekstradohet nga SHBA Lulëzim Sinaj

Plagosi rëndë ish-vjehrrit, ekstradohet nga SHBA Lulëzim Sinaj

Autoritetet shqiptare kanë ekstraduar nga SHBA drejt vendit tonë, Lulëzim Sinajn, 40 vjeç. Ai është dënuar me 25 vjet burgim për vrasje në tentativë.

Më 12 Mars të 2017, Sinaj ka plagosur rëndë në Ballsh prindërit e ish-bashkëshortes së tij.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Washington, USA, në koordinim nga DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, u bë e mundur kapja në SHBA dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i një shtetasi të dënuar me 25 vjet burgim.

Në vijim të bashkëpunimit me homologët, nga specialistët e Interpol Tirana u bë ekstradimi nga New York, USA, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Lulëzim Sinaj, 40 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vitin 2021, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 12.03.2017, në Ballsh, shtetasi Lulëzim Sinaj ka plagosur rëndë, me armë zjarri, shtetasit E. Xh. dhe L. Xh. (prindërit e ish-bashkëshortes së tij).

Si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana, Interpol Washington dhe DSS në ambasadën e SHBA-së në Tiranë, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Falënderojmë ambasadën e SHBA-së në Tiranë, për koordinimin dhe ndërlidhjen mes Interpol Tirana dhe agjencive ligjzbatuese përgjegjëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.