Aktualitet SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

SPAK përfundon hetimet për inceneratorin e Elbasanit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Prokurori i çështjes ka njoftuar këtë të enjte avokatët e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Klodian Zotos, për përfundimin e hetimeve.

Koka u arrestua fillimisht i akuzuar për korrupsion në procedurën për inceneratorin e Fierit, ku dyshohet se ka përfituar 1,2 milionë euro. Gjithashtu, SPAK pretendon se Koka ka përfituar 3,7 milionë euro për favorizimet në inceneratorin e Elbasanit.

Ish-ministri i Mjedisit ndodhet në burg, pasi gjykatat disa herë kanë hedhur poshtë kërkesën e tij për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Për këtë çështje, në burg u rikthye edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Ndërkohë avokatët e mbrojtjes kanë 10 ditë kohë të bëjnë pretendimet e tyre në lidhje me këto përfundime që më pas dosja të paraqitet në GJKKO dhe kjo e fundit të vendosë kalimin për gjykim apo jo në seancë paraprake.

Zoto kishte përfaqësues ligjor Ardian Leka i cili u njoh këtë të enjte me përfundimin e hetimeve. Inceneratori i Elbasanit është i pari ndaj të cilit përfundojnë hetimet nga SPAK.

Lidhur me inceneratorin e Fierit, bëhet me dije se edhe për këtë dosje hetimet janë drejt përfundimit.

Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK.