Aktualitet Kanabisi, një piramidë që “dogji” shqiptarët

Kanabisi, një piramidë që “dogji” shqiptarët

Nga Mero Baze

Ka një zell të tepruar të raportohet se këtë vit nuk është mbjellur thuajse fare kanabis në gjithë Shqipërinë dhe po paraqitet si seriozitet i punës së policisë dhe qeverisë shqiptare. E vërteta është se kanabis nuk është mbjellur, por nuk jam i sigurt sa është vendimtare në këtë histori policia shqiptare dhe aq më tepër qeveria.

Është e vërtetë se mbulimi i Shqipërisë me kanabis në vitin 2015-2016, ishte një epidemi e cila nuk u mbajt dot nën kontroll nga qeveria.

Por po të kthehemi pas në kohë, dhe të shikojmë qasjen e qeverisë dhe sidomos ideologut të saj në atë kohë ndaj kanabisit, do të shikojmë se ka pasur një kryeligjërues Shqipëria që fliste për legalizimin e kanabisit, dhe biles duke bërë gati dhe një grup deputetësh që do të lobonin për legalizimin e tij. Koço Kokdhima që udhëhiqte këtë grup, në atë kohë, ishte njeriu ndoshta më i afërt dhe i besuar politik i Edi Ramës dhe rreziku që kam paralajmëruar në debatet publike me të, qysh atëhere, ishte se ligjëratat e tij idiote mbi liberalizmin e kanabisit, jehonin në veshët e pamësuar me këtë liri të fshatarëve shqiptarë, si kushtrim për të mbjellë kanabis. Vizitat e tij të pikëlluara nëpër burgje, ku takonte të dënuar për kanabis, që kishin halle, ishte po ashtu një ilustrim i target-grupit që mbronin idetë e tij.

Policia shqiptare ishte e pafuqishme të përballonte ofertën e botës së krimit, përballë një qeverie, komisari i të cilës fliste për liri kanabisi.

Dhe ndodhi që viti 2015-2016 të ishte një shpërthim kombëtar për mbjellje kanabisi. Policia u ble. Me vetëdije apo pa vetëdije, me leje apo la leje, me direktivë, apo me kokë të vet, dhjetra policië shqiptarë, u kthyen në numurues rrënjësh hashashi, për t’u vjelë taksën mbjellësve të tyre. “Specialistët” e Lazaratit u shpërndanë në çdo fshat të Shqipërisë për të dhënë “njohuritë” e tyre në këtë fushë.

Fatkeqësia ishte shumëfish. E para se sasia anormale e mbjellë nuk ishte më një mjet fitimi, por një mekanizëm i tmerrshëm dështimi financiar. Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që kishte drogë por nuk kishte lekë, çfarë ishte dhe alibia e atyre që e lejuan.

Kanabisi ishte piramida financiare më e keqe që ka ndodhur në Shqipëri pas vitit 1997, ku mijëra fshatarë derdhën kursimet e tyre dhe u “përvëluan”. Të vetmit që fituan ca para, ishin policët lokalë që volën taksat e bimëve të mbjella, dhe disa punëtorë të paguar për ujitje dhe mbjellje fidanësh. Të gjithë të tjerët humbën miliona dhe mbushën depo e shpella me kanabis, çmimi i të cilit nuk kishte më ofertë.

E gjitha ishte si një ndëshkim nga zoti, për shkak të papërgjegjësisë që dëshmoi pushteti me daljen nga kontrolli të kësaj veprimtarie antiligjore. Ëndrra për fitim të shpejtë e investitorëve dhe trafikantëve dhe përfshirja e policisë në këtë histori, ishin përtej fuqisë së qeverisë.

Qeveria e bëri dëmin dhe krimin në vitin 2015, kur krijoi idenë se ishte duke menduar me mendtë e Koços, se si ta liberalizonte këtë histori dhe kjo shërbeu si kushtrim popullor.

Një vit më pas Shqipëria nuk mbolli më kanabis. Investitorët e dëshpëruar në fshatrat e Shqipërisë nuk mbollën thuajse asnjë rrënjë në vitin 2017 dhe jo se kishin frikë nga policia apo Edi Rama, por se shanin nga nëna qeverinë dhe policinë, që i futi në atë histori nga e cila nuk po dilnin dot.

Depot e fshehta nga Jugu në Veri, shpellat dhe magazinat anonime, mund të jenë ende plot me kanabis, i cili nëse nuk prishet fizikisht, mund të shërbejë dhe disa vite për të furnizuar rrugët e trafikut. Por e vërteta është se shqiptarët u “dogjën” nga kjo piramidë aq keq, sa u tërhoqën në punët e tyre njësoj si pas vitit 1997, pasi u dogjën nga lekët e humbura në “Piramida”.

Sot është e vërtetë që në Shqipëri nuk mbillet kanabis. Nuk është mbjellë në vitin 2017 dhe nuk ka për t’u mbjellur as në vitin 2018. Por bëni kujdes kur krenoheni me këtë gjë.

Nëse këtë e quani si sukses të policisë dhe qeverisë, jo vetëm gënjeni por edhe gaboni duke e futur të ardhmen e kanabisit në një proces të dyshimtë. Nëse kjo është sukses i qeverisë dhe policisë, duhet të merrni dhe përgjegjësinë për mbjelljen e tij, pasi do të thotë që paska qenë mundësia të ndalet. E vërteta është se pushteti krijoi klimë pozitive kundrejt kultivimit të hashashit në atë masë që i doli nga kontrolli, por nuk është e vërtetë se kishte fuqi ta ndalte. Nuk e ndalte dot më! Trafikantët blenë policinë dhe kjo ishte përtej fuqisë së qeverisë.

Fati i zi i atyre që u përfshinë në këtë histori, u bë fati i bardhë i qeverisë që krekoset sot.

Penalizimi i rëndë i mijëra njerëzve të zakonshëm në gjithë vendin që u përfshinë në këtë investim kriminal, është kryearsyeja përse kjo histori u ndal. Ata thjeshtë “u dogjën nga qulli dhe tani i fryjnë dhe kosit”. Por nuk është se kanë frikë nga qeveria dhe policia. Thjeshtë kanë frikë nga mbetja pa bukë dhe pa lekë. Siç mbetën një vit më parë.