Fatlumi, një elektricist 60-vjeçar që jeton në qarkun e Kukësit në malet e Shqipërisë veriore i simpatizon të rinjtë që kanë provuar fatin duke kaluar ilegalisht Kanalin Anglez edhe pse i pret një e ardhme e pasigurt në Britani.
“Ata kanë të afërm atje” – thotë ai në një kafene buzë rrugës me pamje nga luginat me tarraca ku ka pak punësim përveç punëve bujqësore të paguara keq. “Ata shkojnë për punë të ndershme. Vetëm ata me familje të pavëmendshme mund të përfundojnë me bandat e drogës.”
Ka një mungesë të dukshme të burrave 20-vjeçarë në Kukës. Pothuajse të gjithë në këtë rajon duket se kanë të afërm mes rreth 150 mijë shqiptarëve që vlerësohet se jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ata janë pjesë e një eksodi kombëtar që është rritur këtë vit.
Sipas shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, numri i shqiptarëve që mbërrinin ilegalisht përmes Kanalit u rrit me 43% midis majit dhe shtatorit të këtij viti. Suella Braverman, sekretarja e Brendshme, e quajti valën një “pushtim” dhe i përshkroi shumë prej emigrantëve si “kriminelë”, duke çuar në një përgjigje të zemëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Të ndodhur në një udhëkryq mes grekëve, turqve dhe sllavëve, shqiptarët kanë një traditë të migrimit jashtë vendit që daton shekuj më parë. Brezi i fundit ishte ai në vitet 1990 që mori rrugën pas dekadash varfërie ekstreme dhe izolimi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Kjo u pasua nga një tjetër eksod i njerëzve që ikën nga vështirësitë ekonomike. Pastaj një tjetër si shqiptarë etnikë që ikën nga lufta në Kosovën fqinje rreth vitit 2000. Sipas INSTAT, Instituti Shqiptar i Statistikave, rreth një e treta ose 1.7 milion e të gjithë shqiptarëve tani jetojnë në diasporë.
Për ata që mbetën në vend, paga mesatare mujore është 60 mijë lekë ose 450 paund në muaj, sipas INSTAT. Megjithatë, në zonat e thella rurale si Kukësi, pagat mund të jenë dukshëm më të ulëta. Shumë njerëz ia dalin mbanë përmes punëve shtesë që nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare.
Fatlumi, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij të plotë, mbijeton duke u kujdesur për shtëpitë e 3 vëllezërve të tij që punojnë në Londër. 2 janë elektricistë dhe një punon si shofer autobusi. BMË-ja e Fatlumit ka targa të Mbretërisë së Bashkuar.
“Kontrasti midis mundësive ekonomike në luginat e largëta si Kukësi dhe Mbretërisë së Bashkuar është i madh”, – thotë Edval Zoto, një konsulent i pavarur që drejton një program të ri të financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në rajon.
“Situata në Kukës është si në një pellg ujëmbledhës. Institucionet janë braktisur. Shkollat e ndërtuara për 300 fëmijë tani kanë vetëm 50. Punët zhduken, ashtu si edhe mbështetja e sigurisë së familjeve. Universiteti i Tiranës mbylli degën e tij lokale. Nuk ka ngritje në karrierë. Nuk ka vizion për jetën në këtë vend” – tha ai.
Ai shtoi se të rinjtë e rajonit tundohen nga një botë e parave të lehta të portretizuara nga trafikantët që përdorin imazhe dhe video në një fushatë të sofistikuar në mediat sociale në Instagram dhe TikTok.
“Parë nga veriu i Shqipërisë rurale, Londra është jashtëzakonisht e pasur… edhe për ata që merren me drogë,” – tha Zoto, duke shtuar se prindërit në zonë janë të tmerruar se djemtë e tyre do të tërhiqen nga bandat e drogës. “Shoqëria shqiptare është e habitur nga ato video të TikTok,” – tha ai. “Ato e bëjnë krimin magjepsës.”
Programi i financuar nga Britania e Madhe ka një vlerë prej 8.3 milionë paund për 4 vjet. Kjo synon t’u përgjigjet fushatave të bandave në mediat sociale, si dhe të ndihmojë të rinjtë vendas të gjejnë punësim domethënës në bizneset shqiptare. Kjo përfshin zhvillimin e turizmit lokal duke trajnuar punëtorët e shpëtimit malor dhe guidat. Bën fjalë për hapjen e një qendre informacioni turistik dhe krijimin e një qendre rinore ku të rinjtë mund të mësojnë gjuhë dhe aftësi kompjuterike.
Në një afat më të shkurtër kur dimri mund të ngadalësojë migrimin, ekspertët vendas presin që shifrat të rriten përsëri vitin e ardhshëm. Dikur kishte një procedurë të shtrenjtë që kushtonte deri në 20 mijë £ për në Britani. Ajo përfshinte dokumente të rreme, ryshfete kufitare dhe fluturime ose udhëtime me kamionë. Këtë vit kostoja e një udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në rreth 5 mijë £. Kjo pasi kontrabandistët po përdorin varka të vogla për kalimin e Kanalit.
Në një video të fundit, Alastair King-Smith, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, iu lut shqiptarëve për të mos besuar tek trafikantët. “Ajo që po shfaqet në mediat sociale nuk është realiteti. Mos shkoni ilegalisht”, – tha ai. Kryeministri i Shqipërisë, i cili kundërshton qëndrimet britanike për numrin e shqiptarëve që kalojnë kanalin, tha në një intervistë për Financial Times se ai ka diskutuar mënyrat për të goditur bandat e drogës me qeveritë e njëpasnjëshme britanike, por propozimet e tij nuk u ndoqën kurrë.
Kur Boris Johnson ishte Sekretar i Jashtëm, ai (rriti) krimin shqiptar në Londër, tha Rama. “I thashë, në rregull. Sillni 6 profesionistë nga agjencitë tuaja në Tiranë. Ne do t’i vendosim ata në një zyrë me 6 nga njerëzit tanë, [me] akses të plotë në të gjitha dosjet tona kriminale.” Ai shtoi se propozimi i është bërë edhe Theresa May, atëherë kryeministre, por edhe Priti Patel, ish-sekretares së brendshme, por grupi i përbashkët i punës nuk u materializua kurrë.
“Me pak agjentë të fshehtë në Kukës. Mëson kë duhet të telefonosh. Kush i pret nga ana tjetër. Nëse keni britanikët [në bord] ju lidhni pikat. Nuk po flasim për 1 milion refugjatë. Ky është një komunitet i vogël” – thotë Rama. Megjithatë, gjatë mandatit të Ramës, bandat shqiptare janë ngritur mbi një traditë dekadash të kultivimit dhe eksportit të kanabisit. Ata kanë krijuar një rrjet të fuqishëm global trafikimi, sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të SHBA.
“Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të jashtëzakonshëm në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar, dhe Shqipëria është një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar” – thuhet në raport.
“Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë shtytësit kryesorë të problemit të kontrollit të drogës në Shqipëri”, – citon raporti i DASH.
Rama i hedh poshtë akuzat, por Partia Demokratike në opozitë akuzon kryeministrin se ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe autokratik gjatë 9 viteve të tij në detyrë, duke i lënë shqiptarët e shtresës së mesme me pak shanse për të ecur përpara, përveçse duke u larguar nga vendi.
Një tubim i thirrur nga kjo parti për të protestuar kundër korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit jashtë zyrës së Ramës mblodhi dhjetëra mijëra njerëz këtë të shtunë. Aldo Bumçi, ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë i Partisë Demokratike, akuzoi Perëndimin se mbylli sytë ndaj shkeljeve të Ramës, sepse Shqipëria është një aleate besnike perëndimore në një zonë destabiliteti.
“Rama ka para. Është i pamposhtur dhe ndërkombëtarët nuk thonë asgjë. Kjo është arsyeja pse njerëzit po largohen në këto numra biblikë” – tha Bumçi. / Financial Times