Ish-ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander Arvizu, ka dhënë një intervistë për Euronews në Shqipëri, ku ka komentuar ngjarjet politike në vend dhe shpalljen non-grata të Sali Berishës.
Arvizu tha se nuk ka informacione të detajuara për vendimin e DASH ndaj Berishës, pasi ai nuk ka më akses në informacione të brendshme, por theksoi se ndërkombëtarët, SHBA dhe BE nuk mund të ndërhyjnë në çështje të brendshme politike, si ajo e zgjedhjes së liderëve në politikë.
Sipas tij, për çdo ambasador amerikan, është e rëndësishme që të tregohet respekt për shqiptarët.
Kjo deklaratë vjen pasi ambasadorja Yuri Kim, ka kërkuar vazhdimisht largimin e Sali Berishës nga politika dhe njeh si kryetar në detyrë të PD-së, Enkelejd Alibeajn.
Arvizu nënvizoi disa herë se shqiptarët duhet të trajtohen me respekt dhe se kanë të drejtë të zgjedhin udhëheqësit e tyre.
“Së pari, unë nuk përfaqësoj më qeverinë dhe nuk kam akses në informacionet zyrtare që çojnë në këto vendimmarrje. Për mua, kur isha ambasador dhe për çdo ambasador amerikan, e rëndësishme është të tregojmë respekt për qytetarët shqiptarë. Shqiptarët e dinë dhe e kuptojnë fare mirë se çfarë do të thotë të respektohen. Respekti duhet treguar në çdo gjë që bën. Edhe pse një vendim që merret, nuk është ai i duhuri, njerëzit e kuptojnë domethënien e tij.
Sa i takon opozitës, mendoj se është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë se këdo që zgjidhni për qeverinë dhe opozitën, nuk është vendim për SHBA-të dhe BE-në, por për Shqipërinë. Është qeveria juaj dhe opozita juaj.
Ne e vlerësojmë miqësinë dhe mbështetjen që shqiptarët japin në SHBA. Ndaj duhet të japim opinion me respekt.
Por, këto lloj vendimesh, se kush është në opozitë dhe kush duhet të jetë në qeveri, i takon shqiptarëve dhe jo Uashingtonit apo Brukselit”, deklaroi ish-ambasadori.
Arvizu shtoi se opozita shqiptare nga viti 2015 ka qenë e përçarë dhe “thuajse e thërrmuar”.
“E kuptoj kthimin e zotit Berisha. Që kur kam lënë Shqipërinë në vitin 2015, shqetësimi im ishte se opozita konservatore, nuk ka qenë konstruktive, thuajse është thërrmuar dhe përçarë. Kjo i ka hapur rrugë zotit Rama dhe socialistëve të konsolidojnë pushtetin”, tha ai.