Babë e bir të cilët i mori rrjedhja e ujit në Malësi të Madhe, janë gjetur mëngjesin e së hënës nga forcat e policisë. Trupat e pajetë u gjetën përgjatë përroit në Bogë.
Polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kryen 16 orë kërkime intensive që prej ditës së djeshme kur u dha alarmi për zhdukjen e tyre.
50-vjeçari Pjetër Rushaj po udhëtonte me makinë së bashku me djalin dhe vajzën e tij. Rrjedha e ujit mori përpara makinën e tyre. Fatmirësisht vajza mundi të dilte dhe shpëtoi. Ndërsa për fat të keq, at e bir nuk ja dolën dot. Ata janë viktimat e para nga moti i keq që ka mbërthyer Shqipërinë që prej fundjavës.