Kosova Kosovë-Serbi pa marrëveshje për targat, shefi i NATO-s: Përshkallëzimi duhet të shmanget

Kosovë-Serbi pa marrëveshje për targat, shefi i NATO-s: Përshkallëzimi duhet të shmanget

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur zhgënjimin e tij për mosarritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, dhe ka thënë se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent.

“Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”, ka thënë Stoltenberg përmes një postimi në Twitter, pas bisedës që ka zhvilluar me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Deklarata e tij vjen teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Europian në Bruksel. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit për targat ilegale serbe për 10 muaj.

Por Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit më 1 nëntor.

Kryeministri Kurti tha se propozimi i Bashkimit Europian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”.

“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiç e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell për gazetarët.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit europian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.