Një futbollist 17-vjeçar ka ndërruar jetë tragjikisht në Kosovë. Bëhet fjalë për adoleshentin e FC Trepça ’89, Erion Kajtazi.
Në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës thuhet se lojtari ka ndërruar jetë në një ndeshje të kampionatit të futbollit për kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë.
“Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.
Federata e Futbollit e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit”, thuhet në njoftim.
Në rrjetet sociale ngushëllimet për humbjen e jetës së adoleshentit ishin të shumta. Në një mesazh postuar në llogarinë në Facebook të klubit, presidenti i Trepçës, Abedin Zeka, shkroi: “Nuk gjejmë fjalë për të shkruar për Ty Erion. U rrite me të gjitha grupmoshat te ne. Ne planifikuam që në një të ardhme të afërt të realizojmë transferimin tënd në Europë e se vjen kjo ditë të ndahemi nga ti vetëm fizikisht por jo edhe emocionalisht e shpirtërisht. Eri, siç të thërrisnim të gjithë, do të mbetesh gjithmonë në mendjen tonë i Dashur, i Buzëqeshur, i Afërt me të gjithë shokët dhe në përgjithësi klubin tonë.
Me Dhimbje të madhe të përkujtojmë e kurrë nuk të harrojmë i gjithë Klubi”.