Një rreze drite për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri, e vlerësoi Sali Berisha procesin e primareve që është duke u zhvilluar në mbarë vendin, nga ku do të dalin kandidatët e opozitës që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Në fjalën e tij pasi hodhi votën për kandidatin e Tiranës, kreu i PD akuzoi edhe njëherë Edi Ramën se ka vrarë votën e lirë dhe i cilësoi primaret si një ditë të rëndësishme për hapjen e mëtejshme të partisë.
“Një ditë e madhe për PD. Është një kryeditë për demokracinë shqiptare. Dhjetëra mijëra anëtarë votojnë për qytetarin e parë të bashkisë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm veçanërisht rëndësia bëhet më e madhe pasi vota e lirë ka në Shqipëri një armik të egër të saj, një armik që përpunoi dhe zhvilloi mekanizmat e plaçkitjes së saj. Një armik që e përzuri votën nga partia e tij dhe e shndërroi PS, e riktheu në origjinë si parti pa votë. PS voton si komunitet mafioz. Edi Rama është i vetmi në Evropë që ka përjashtuar votën e lirë nga partia. Në këtë kontekst ky zhvillim është një rreze shprese për rivendosjen e saj në Shqipëri. Demokratët duke votuar të lirë shumëfishojnë forcat, energjinë për tu përballur me kalbësirën që kanë përpara dhe për të përmbysur monizmin në Shqipëri dhe që bazohet në vjedhjen e votës. Ky zhvillim pas krijimit të pluralizmit shënon aktin më madhor në historinë e PD, pranimin e pluralitetit në gjirin e saj. Në procedurë shënon hapjen më të madhe. Sot konkurrojnë mbi 200 kandidatë në 61 bashki”, tha Berisha.
Në lidhje me interesin e gazetarëve për disa bashki ku nuk po votohet ditën e sotme në radhët e demokratëve, Berisha deklaroi se për 3 degë janë duke u zhvilluar bisedime me aleatët për kandidatët që do të nxjerrin.