Gjithçka e lehtë për Anglinë që respekton parashikimet dhe kualifikohet për në çerekfinalet e Botërorit, duke mundur 3-0 Senegalin. Të martën, kombëtarja e Tre Luanëve do të sfidojë Francën, kampionen në fuqi.
Skuadra e Gareth Southgate fitoi pastër ndaj një kundërshtari që në letër konsiderohej më i vështirë, por pas minutës së 30 në fushën e lojës foli ekipi që kishte më shumë cilësi. Shpejtësi, aksione të paparashikueshme dhe një skuadër e formatuar mirë, e kujdesshme në çdo top.
Jude Bellingham në sulm frymëzoi skuadrën ishullore që kaloi në avantazh me Henderson dhe më pas gjithçka ishte histori. Pjesa e parë e kompletoi rritjen e Anglisë me një gol të Kane, ndërsa talenti i Arsenalit, Saka shtangu sërish Senegalin me një gol të shkatërroi përfundimisht ëndrrën e skuadrës së Aliou Cisse.
Kampionët e Afrikës i japin lamtumirën Kupës së Botës ndërsa tashmë për Anglinë vjen testi i parë i vërtetë, kampionët e botës. Kundër Francës do të luhet në datën 10 dhjetor ora 20:00 në Al Bayt Stadium.