Tre persona janë vënë në pranga gjatë aksionit të koduar “Sateliti” në Gjirokastër pas një hetimi disa mujor, ku u sekuestrua një sasi lënde narkotike.
Në pranga ranë 37-vjeçarja me iniciale M.Ç., S.Rr. 39 vjeç të dy banues në Gjirokastër dhe F.T. 37 vjeç banues në Tiranë, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e lëndëve narkotike.
M.Ç. dhe S.Rr. u kapën duke udhëtuar së bashku me një makinë Volvo në aksin Ersekë – Tre Urat në Përmet.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, policia gjeti të fshehura në vende të përshtatura, 87 pako të mbushura lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 70 kg.
Ndërsa përpara tyre udhëtonte me makinë tjetër 37-vjeçari F.T., i cili kontrollonte rrugën nëse kishte polici me qëllim që të sinjalizonte dy transportuesit e drogës. Edhe ky person u arrestua.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.