Pas humbjes fatale me Kroacinë, që i kushtoi Brazilit eliminimin nga Katar 2022, trajneri Tite ka folur në konferencë shtypi, ku ka njoftuar publikisht se jep dorëheqjen nga stoli i Seleçaos.
“Është një humbje shumë e dhimbshme, por jam në paqe me veten. Ky është fundi i një cikli. Është një vendim që e kam marrë që një vit e gjysmë më parë dhe nuk jam një njeri që e kthen fjalën. Nuk e kam thënë, sepse nuk doja që njerëzit të më kërkonin të qëndroja, nëse do të fitonim Botërorin”.
Penalltitë- Pyetja më e freskët ishte radha e lojtarëve që gjuajtën penalltitë: “Pse Neymar nuk goditi penallti? Ishte ekzekutuesi i fundit, kur është ky lloj presioni, lojtari më cilësinë më të madhe dhe forcën mendore duhet të gjuajë i fundit”.
Me Titen në stol Brazili nuk ka mundur të shkojë as në gjysmëfinale të dy Botërorëve të fundit. Në Rusi 2018 brazilianët u eliminuan nga Belgjika, kurse në Katar 2022 nga Kroacia.
Tani pritet të mësohet se kush do të jetë pasardhësi i Tites në stolin e Brazilit. Përfundon mes lotësh edhe Botërori i fundit i Neymarit. Sulmuesi nuk mundi ta bënte kurrë liderin e Brazilit, pavarësisht talentit të tij të madh.