Pas 6 vitesh dhe dy zhgënjimesh botërore, cikli i Tites në krye të Brazilit ka përfunduar. Trajneri në detyrë që në vitin 2016, fitues i Kupës së Amerikës në 2019-ën, e komunikoi vendimin pas eliminimit nga Kroacia me penallti.
Tani Federata Braziliane e Futbollit është vënë në kërkim të trajnerit të ri dhe ëndrra e saj është Pep Guardiola. Emri i spanjollit është përmendur edhe më parë, por tashmë gjërat duken më serioze.
Vetëm se ky mision duket i pamundur, sepse Guardiola sapo ka rinovuar me Mançester Sitin deri në 2025-ën dhe ka një pagë shumë të lartë për arkën e federatës brazilianë, më shumë se 20 milionë euro. Brazili kohë më parë ka bërë një sondazh për shpikësin e ‘tiki taka’-ës, por gjithçka kishte rënë poshtë pikërisht për shkak të anës ekonomike.
Guardiola mund të mbetet një ëndërr, ndaj dhe emrat e tjerë që qarkullojnë për zëvendësuesin e Tites janë të shumtë. Sigurisht, duhet një profil i nivelit të lartë për ngritjen e futbollit brazilian, që nuk fiton Botërorin prej vitit 2002.
Disa nga emrat që lakohen janë Abel Ferreira, Jorge Jesus, Dorival Junior, Fernando Diniz, Renato Gauço, Roxherio Ceni, Mano Menezes (do ishte rikthim) dhe Jorge Sampaoli.