Aktualitet Arrestimi i Davide Pecorelli-t, Policia e Shtetit jep detajet zyrtare

Arrestimi i Davide Pecorelli-t, Policia e Shtetit jep detajet zyrtare

Për arrestimin e biznesmenit Davide Pecorelli, pasditen e kësaj të shtune në Itali, reagoi zyrtarisht edhe Policia e Shtetit.

Policia thotë se arrestimi i tij u bë me kërkesë të autoriteteve shqiptare, me qëllim ekstradimin e 47-vjeçarit drejt vendit tonë, ku akuzohet për 5 vepra penale.

“Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian Davide Pecorelli, 47 vjeç”.

47-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

“Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit. Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit Davide Pecorelli, në një ishull. Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Peruxhia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”.