Ekonomi Porti i ri Tregtar i Durrësit në Porto Romano, Balluku: 390 mln...

Porti i ri Tregtar i Durrësit në Porto Romano, Balluku: 390 mln euro të ardhura dhe 1500 të punësuar

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherazi edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, foli sot në prezantimin e projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në zonën e Porto Romanos.

Sipas Ballukut, ky është një proces me rëndësi jetike për ekonominë vendase, ndërsa shtoi se, së bashku me Marinën e Jahteve, do të ndërtohet një kompleks portual.

Balluku tha se investimi do të jetë krejtësisht i ri, pa asnjë lidhje me portin aktual të Durrësit, i konceptuar si një kompleks portual.

Një investim prej 390 mln eurosh, porti i ri tregtar pritet të punësojë 1500 persona dhe siç tha ministrja Balluku do të jetë një pronë e përbashkët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ky investim, sipas Ballukut, do të jetë me faza, modern e që do ti përgjigjet nevojave të katër dekadave të ardhshme.

“Një vëmendje e veçantë do ti kushtohet edhe ndërlidhjes rrugore dhe asaj hekurudhore, ku përveç asaj të brendshme që do të lidhë të gjithë terminalet brenda, do të ketë edhe një tjetër që e lidh atë me Marinën dhe më pas edhe me hekurudhën Tiranë – Durrës.

Sa i përket financimit të këtij projekti, 46 për qind do ta marrë përsipër qeveria, ndërsa 54 për qindëshi tjetër do të jetë financim nga kompania ndërtuese. Kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti portual i Durrës, pa cënuar buxhetin e shtetit”, tha Balluku