Nga Agron Gjekmarkaj
Prej kohësh kam marrë një vendim për të heshtur të cilin po e thyej sot nga trishtimi i një dite që përkujtohet si festë.
PD festoi dy herë gjatë kësaj dite themelimin e saj. Njëherë edhe rithemelimin kah fillimi i mbrëmjes.
Personalisht mora pjesë në “festen” e parë atë më të voglën, e cila edhe tallet, përqeshet e sulmohet.
Po e filloj nga aty. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre shumë njerëz me kontribute në PD, shumë prej atyre që s’kanë përfituar kurrë asgjë, as poste e as lek se me këto matet suksesi në Shqipëri.
Sigurisht përfituesit nuk munguan. Mbase dhe ne që u bëmë deputet jemi të tillë.
Shumë prej tyre se kanë parë lidhjen me PD si çështje të ngushtë të interesit personal ndonjë veç si të tillë e ka parë.
Dikush më pa shtrembër se kam kërkuar që Lulzim Basha të mos rikthehet më, të mos thërrasë njerëz poshtë e përpjetë duke i gënjyer që gjërat do të ndryshojnë shpejt.
Se në Maj apo Shtator do ndodhë një gjë dhe e drejta si gomari ngarkuar do kthehet në shtëpi. Asgjë nuk do të ndodhë.
Basha lejoji që të ishte një kukull në duart e Sali Berishës! Një depersonalizim i papranueshëm për një individ që ka ëndërruar të qeverisë Shqipërinë.
Basha administroi një parti të madhe, me mbështetje dhe u mund në çdo betejë dhe nuk bëri betejë as kur duhej, ngado që i erdhi nga jashtë e nga brenda.
Edhe betejën me Berishën shpresoi që t’ja bënin të tjerët deri në fund. Madje dhe tani i duket mundim i madh dhe i ikën si djalli temjanit.
Sot PD “zyrtare” është pezull me grup parlamentar e ndjekës dhe askush nuk merr përsipër ta prese nyjën gordiane, të bëjë divorc politik me Lulzim Bashën (jo njerëzor) e të fillojë jetën politike.
Basha me gjasë po pret të kthehet të marrë një gjë e cila nuk do të ishte aq e vogël nëse ai nuk e nëpërkëmb për ambicie personale. Ajo që pretendon të marrë ai do jetë në fund një vulë e me të në xhep te nxitojë me kapë një mundësi negocimi me Sali Berishën. Ambicie e pavend, e pafre e pandershme.
As demokratët as Shqipëria si ka më asnjë detyrim atij.
Të gjithë ata që besojnë se kanë bërë gjënë e duhur duke mbajtur këtë qëndrim duhet të mendojnë për një drejtues, për një opozite të re dhe të shkëputen nga asgjëja pritëse e Lulzim Bashës.
Unë e di që Bardhi, Alibeaj apo Tabaku nuk janë në këtë hulli po me heshtje po krijojnë përshtypjen se po lejojnë një kthim të pavend veç për interesin e një individi e asgjë më shumë.
Pasdite në shtëpi ndoqa “festen” e dytë të PD. Një ish bashkëpunëtor i deklaruar i sigurimit të shtetit doli dhe ju dha gajret demokratëve.
Aty ishte Berisha si tash 32 vjet padiskutim një lider i fortë që na ka dhënë emocione dhe zhgënjime. Por edhe një lider që e ka konsumuar kohën e tij.
Të gjithë folësit kujdeseshin t’i serviloseshin atij. Secili prej tyre ka kuptuar që ajo copë ndoshta më e madhe se tjetra është një pronë private e tij dhe familjes së tij.
Gjithmonë që kur jam shfaqur në piacën publike kam dashur të gjykohem për atë që them keq dhe mirë po ashtu në PD!
Në fakt në këtë parti gjykohesh sipas dëshirës së pronarit. Shan ai?! Shajnë të gjithë ndjekësit e tij. Lëvdon ai lëvdojnë të gjithë ata që i shkojnë pas për emocion apo interes. Kjo ndjesi me shkakton neveri.
Në festen e dytë nuk mungon asnjë që ka përfituar, që nga hiçi ka marrë emër, që nga i varfër është bë i pasur, sigurisht edhe shumë demokratë e qytetar normal të cilëve Berisha ju ofron mirazhin e fitores.
Shoh aty Berishën gati 80 vjeç, të gjithë ata që e dinë si e çfarë i pëlqen atij, që me folklorin, korrupsionin apo servilizmin e tyre e bënë PD humbëse, të vogël e më keq e konsideruan veten si punonjës me meditje në një pronë. Ndonjë në hierarkinë e lartë mund të quhet edhe idiot me flatra.
Tani që shkruaj po flet djali i një gjykatësi që ka dënuar klerin me vdekje gjatë komunizmit. Turbullim i madh.
Të gjithë bashkë në atë sallë ne që nuk ndoqëm Sali Berishën për interes personal na quajnë të shitur, të blerë të Edi Rames. Paradoks i madh megjithëse si kam futur dorën në xhep askujt as për kafe as për dreka as për rryshfete as për tendera, edhe pse s’kam askund vila e dyqane apo llogari bankare si shumica e atyre që ndjekin Doktorin e që vete ai i ka lejuar të jenë të tillë flasin për revolucion. Po ju tha Doktori që jam i shitur e thonë pa përtim e me shpejtësi.
Komike po edhe tragjike duke pare kohen ku jetojmë. Gjëra të shëmtuara kanë ndodhur këto kohë.
Sali Berisha goditet me grusht në një manifestim publik një gjë e ndyrë, e poshtër dhe destabilizuese bash ditën kur Europa ishte ulur këmbëkryq në Shqipëri duke pranuar identitetin europian të shqiptarëve si kurrë më parë. Nuk ishte aspak e rastësishme.
Nuk ishte thjeshtë një i prishur mendsh që e beri nëse analizojmë dinamikën.
Berisha dhe ndjekësit e tij thanë e bëri Edi Rama. Duke e njohur narcizmin e Kryeministrit në një ditë si ajo e samitit vështirë të besohet se ai kishte interes për një gjë të tillë.
Duke pohuar ketë unë i bie përsëri të jemi i shitur tek Edi Rama po s’kam ç’ bëj ende i kam të shenjta mendimet e mia.
Por Rama duhet t’i japë fund gjuhës degraduese, fyese dhe konfliktnxitëse me opozitën sepse shoqëria shqiptare po tendoset nga lufta politike nga, varfëria dhe korrupsioni, nga shpopullimi. Një Kryeministër që e do vendin e tij e kafshon gjuhën dhe i lidh zagaret.
Mundet, duhet.
Po kaq këto ditë u shemb një biznes, hoteli “Prestige”. Një veprim mbreslënës arrogance dhe imponimi, një gjest force që tregon se pushteti është mbi shtetin se media e lirë është nën presion të vazhdueshëm.
Një ditë ne do i paguajmë lekët e hotel “Prestige” siç ja paguam pallatit të Lulzim Bashes pasi gjykata ndërkombëtare foli. Ato lek do dalin nga xhepat tanë. Po kjo nuk duhet të ndodhe më. Shteti duhet të monitorojë çdo ndërtim dhe jo çdo ndërtim të shndërrohet në mjet shantazhi.
Shqipëria sot ka nevojë për një Opozitë të bashkuar, të re dhe jo për një bashkim njerëzish të plakur në politike, pasanike prej saj, të padurueshëm prej saj.
Edi Rama në kulmin e fuqisë së tij nuk rrëzohet me “revolucion” bolshevik, po me njerëz të rinj e ide konkurruese, me njerëz të ndershëm, të pakapur nga e kaluara, me modele morale, intelektuale e profesionale. Nuk ndodh kjo me persona që tek ambicia e pa fre e materializmit shohin perspektivën e së ardhmes.
Sali Berisha është histori politike dhe faktor politik me peshë elektorale ndonëse i anatemuar nga perëndimi. Gur i madh politik mbi shpinë ky.
Lulzim Basha është po shumë shumë më pak! Të dy bashkë dhe të dy veç e veç nuk e bënë PD-në fituese. Por të dy nëse lënë mënjanë egoizmin personal, Berisha atë të madhin me dëm po kaq, Basha të voglin më dëm të madh dhe kontribuojnë që PD të bashkohet, me garë të zgjedhë një lider të ri përbashkues, i japin këtij vendi një mundësi për ndryshim. Të dy janë e kaluara, njëri fitues humbës, tjetri veç humbës.
Deklarata patetike e Bashës sot dhe fjalimi i ripërsëritur i Berishës frymëzojnë shumë pak vetëm njerëzit e dy sallave po jo përtej tyre. Si janë sot demokratët? Fiks si i don armiku. Këtë nderë jua bëri Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Ata nëse duan ndryshim e pushtet duhet t’i tejkalojnë të dy. Nëse nuk ndodh kjo 33 vjetori do të jetë dhe më i trisht, Berisha më i plakur dhe Basha më i padurueshëm.