Kryeministri Rishi Sunak tha të martën se Britania ka rënë dakord për një marrëveshje të re me Shqipërinë për të goditur numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka të vogla, si pjesë e masave për të përshpejtuar përpunimin e azilkërkuesve.
Sunak paralajmëroi se përgjatë muajve në vijim me mijëra shqiptarë do të rikthehen në vendlindjen e tyre.
“Pjesa më e madhe e pretendimeve nga shqiptarët mund të klasifikohet thjeshtë të pabazuara dhe ata individë mund të kthehen me shpejtësi në vendin e tyre. Përgjatë muajve në vijim, me mijëra shqiptarë do të kthehen në vendin e tyre dhe do të vijojmë me fluturime të përjavshme derisa të gjithë shqiptarët të jenë larguar”, u shpreh ai.
Siç shkruan Reuters, numri i shqiptarëve që mbërrijnë në Angli përtej Kanalit është rritur në dy vitet e fundit. Shifrat e qeverisë britanike tregojnë se shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të njerëzve që vijnë nga kjo rrugë.
Sunak tha se në fillim të vitit të ardhshëm qeveria do të prezantojë legjislacionin i cili do të ndalojë emigrantët që kalojnë Kanalin Anglez për të qëndruar në Britani.
“Nëse hyni ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, nuk duhet të jeni në gjendje të qëndroni këtu,” tha Sunak në parlamentin britanik. “Në vend të kësaj, do të ndaloheni dhe do të ktheheni me shpejtësi ose në vendin tuaj të origjinës ose në një vend të sigurt ku do të shqyrtohet kërkesa për azil.”
Sipas një plani të prezantuar nga kryeministri, një njësi e dedikuar prej 400 specialistësh do të ngrihet për të trajtuar kërkesat nga shqiptarët.
Zyrtarët kufitarë të Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen gjithashtu në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje të re me vendin.
Kryeministri britanik prezantoi planin me 5 pika për largimin e emigrantëve shqiptarë:
Së pari, do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihet ushtria, forcat civile dhe inteligjenca.
Së dyti, emigrantëve ilegale do t’u ndalohet të hapin llogari bankare.
Së treti, azilantët nuk do të strehohen më në hotele, por në konvikte dhe magazina ushtarake.
Së katërti, punonjësve që trajtojnë rastet e azilit do u bëhet shumë e qartë se Shqipëria është vend i sigurt. Ata që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne, duhet ta provojnë këtë, tha Sunak.
Së pesti, në fillim të vitit të ri qeveria do të nxjerrë ligje për të siguruar që njerëzit që mbërrijnë në MB ilegalisht nuk do të mund të kërkojnë azil këtu.
Kjo është një politikë që Suella Braverman, sekretarja e brendshme, propozoi në konferencën e konservatorëve.
Çështja e emigrantëve që mbërrijnë me varka të vogla është bërë një prej temave kryesore politike për qeverinë konservatore.
“Njerëzit kanë të drejtë të zemërohen sepse shohin atë që unë shoh, që është se kjo thjesht nuk është e drejtë,” tha Sunak. “Nuk është mizore apo e diçka e keqe të duash të thyesh hovin e bandave kriminale që tregtojnë mjerimin njerëzor… mjaft është mjaft.”