Kryeministri Edi Rama tregoi sot se është arritur një dakordësi me kryeministrin britanik Rishi Sunak për emigrantët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij në prononcimin për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve, Rama tha se “krimi shqiptar” nuk ekziston sepse krimi nuk ka etni.
Rama theksoi se ajo që është arritur me qeverinë britanike nuk është një marrëveshje e re, teksa ka shtuar se kryeministri britanik i ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur.
Rama u shpreh se nëse “shanset për të marrë azil politik në Gjermani, Francë, në Holandë, në Suedi janë zero, atëherë kërkojeni tek vetja, kërkojeni tek sistemi britanik, mos e kërkoni fare as tek qeveria e Shqipërisë dhe as tek ata që nisen për të ardhur tek ju se nuk marrin dot vizë”.
“Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Johnson ka qenë ministër i jashtëm dhe e kam përsëritur vazhdimisht sepse sa herë që kanë ardhur dhe kanë ndarë me ne këtë shqetësim, unë kam qenë konsistent, mos flisni për krim shqiptar sepse nuk ekziston, krimi është krim dhe nuk ka etni. Nëse keni problem dhe doni ndihmën tonë sepse ne jemi zgjedhur, ne jemi të gatshëm që të ngremë një skuadër speciale e cila të merret 24 orë në kohë reale për identifikimin, ndarjen e informacioneve dhe në fund ndalimin e atyre elementeve që kanë organizuar këto rrjete të trafikut klandestin.
Këtë herë, kam pasur një bisedë goxha përmbajtësore me kryeministrin e fundit sepse kanë ndryshuar shumë dhe ai ka marrë përsipër që jo vetëm të thotë “e bukur e bukur”, por edhe ta shtyjë përpara. Kemi bërë një dakordësi sepse nuk është një marrëveshje e re. E gjitha është aty, e rëndësishme që kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen pa ekuivok për atë që ka ndodhur. Fatkeqësisht komuniteti shqiptar është vendosur në një dritë krejtësisht të gabuar, më ka shprehur konsideratat për bashkëpunimin, për ecurinë e përbashkët, më ka shprehur dhe dëshirën që të takohemi shpejt dhe pastaj jemi ndalur tek kjo pjesë që unë kam përsëritur të njëjtin princip. Komuniteti shqiptar në të gjitha vendet sjell vetëm vlerë të shtuara. Ata elementë problematikë nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar askund, janë jashtënxjerrjet e një kombi si të çdo kombi.
Dhe 2 pika: Nëse shanset për të marrë azil politik në Gjermani, Francë, në Holandë, në Suedi janë zero, atëherë kërkojeni tek vetja, kërkojeni tek sistemi britanik, mos e kërkoni fare as tek qeveria e Shqipërisë dhe as tek ata që nisen për të ardhur tek ju se nuk marrin dot vizë”.
Kujtojmë se sot duke folur para parlamentit, Sunak tha se marrëveshja synon t’i japë fund dyndjes së emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.