Aktualitet Një i ri shqiptar mes personave të shpëtuar nga varka e përmbytur...

Një i ri shqiptar mes personave të shpëtuar nga varka e përmbytur në Kanalin Anglez

Të paktën 4 persona janë mbytur nga përmbytja e një varke me emigrantë në Britani.

Varka e vogël që transportonte emigrantë hasi vështirësi orët e para të kësaj të mërkure në Kanalin Anglez, pranë Kentit. Sipas Sky News, deri më tani janë shpëtuar 43 persona.

Menjëherë pas alarmit varkat e shpëtimit, ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare, ashtu sikurse edhe një ambulancë ajrore shkuan për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Një anije peshkimi ishte gjithashtu në zonë për të ndihmuar. Në operacion u përfshinë edhe helikopterë të Rojes Bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze.

Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u njoftua për ngjarjen rreth orës 03:40 dhe se kishte dërguar ekuipazhe në Dover të Kentit, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.

Ndërkohë, një shqiptar ndodhet mes personave të shpëtuar nga gomonia e cila u përmbyt në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kanalin Anglez.

Fatbardha Celaj një përkthyese shqiptare e cila punon në spitalin e Kentbury në Britaninë e Madhe tregon për Top Channel se ka kontaktuar me shqiptarin e identifikuar si Denisi me origjinë nga veriu i Shqipërisë.

Ajo tha se gjendja e tij është shëndoshë e mirë, por është i traumatizuar nga ngjarja e cila humbën jetën katër persona të tjerë.

Fatbardha Celaj: Unë jam përkthyese në Britani. Jam në spitalin e Kentbury aktualisht. Situata është shumë e ndjerë. Ndodhen 34 persona që i kanë shpëtuar tragjedisë. Mes tyre është një shqiptar, i quajtur Denis. Ai nuk do të prononcohet, unë kam kontaktuar me prindërit e tij, është shumë. Vetëm Denisi është identifikuar si shqipfolës. Është nga veriu, gjendja është shumë mirë, por është i traumatizuar ende.

Si është gjendja e personave të tjerë?

Fatbardha Celaj: Gjendja e personave të tjerë është shumë e komplikuar, gjuhët e tjerëve nuk i dimë. Mundohemi të hyjmë në çdo dhomë, mundohemi të gjejmë mos ka shqipfolës të tjerë. Gjendja e tyre është shumë e rëndë. Katër janë identifikuar të vdekur. 34 janë këtu në spital, nuk mund të japim shumë detaje, nuk japim dot detaje para autoriteteve

Cili është apeli për të gjithë prindërit shqiptarë?

Fatbardha Celaj: Ju lutem qetësohuni, deri tani vetëm Denisi është identifikuar. Mos i nisni fëmijët në mënyrë të jashtëligjshme. Nuk e di, jam shumë e emocionuar të shoh këtë gjë të padëshirueshme. Ju lutem mos i nisni, mbajini afër.