Kryesore Francë-Argjentinë, finalja e Botërorit: Përballje e madhe Messi vs Mbappé

Francë-Argjentinë, finalja e Botërorit: Përballje e madhe Messi vs Mbappé

Do të jetë Argjentinë-Francë finalja e Botërorit. Nëse Messi u lodh pak për të mposhtur rezistencën e Kroacisë, më e komplikuar ishte detyra e Mbappé dhe shokëve të tij për të mundur një Marok të paepur falë golave të Theo Hernandez dhe Kolo Muani. Të dielën në stadiumin Lusail do të jetë në lojë jo vetëm Kupa e Botës, por edhe titulli i golashënuesit, duke qenë se si Messi, ashtu edhe Mbappé, janë të dy të parët në renditje me nga 5 gola secili.

Ndeshja

Sfida nisi mirë për Francën, që gjeti golin e avantazhit me anë të Theo Hernandez që në minutën e 5-të, ndërsa më pas pati edhe 3 mundësi të mira shënimi me Giroud e Mbappe, por pa arritur t’i konkretizojë.

Nga ana tjetër Maroku u ndal nga Lloris dhe shtylla në dy tentativa në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë pati shumë nervozizëm dhe pak ritëm, teksa arbitri meksikan u tregua mjaft i kursyer me kartonët për marokenët.

E kur tensioni po rritej, Deschamps hodhi në fushë sulmuesin e Eintracht Frankfurt, Kolo Muani, i cili pas një aksioni të dyshes Thuram-Mbappe, dërgoi topin në rrjetë me prekjen e parë për këtë takim, duke vulosur kualifikimin e Francës në finale.

Të dy finalistet kanë fituar nga dy herë Kupën e Botës dhe mbrëmjen e të dielës do të kërkojnë trofeun e tretë në histori, teksa sytë e të gjithëve do të jenë te dueli në distancë Messi-Mbappe, me njërin prej të cilëve që do të festojë në fund.