Me atë që po bën në Katar, numri 10 i Argjentinës po tregon se është një kampion edhe në pikëpamja karakteriale.
Lionel Messi ishte që më parë në grupin e 5 lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, aty ku janë edhe Maradona, Pelé, Di Stefano dhe Cruijff. Por tani, në fundin e karrierës, 35 vjeç, ai mund t’i afrohet vërtet majës absolute, asaj që mban ish-numri 10 i Argjentinës.
Për ta bërë ka nevojë për dy gjëra: të fitojë një Botëror dhe të tregojë se ka klas të pakufishëm, si dhe të jetë në gjendje të udhëheqë shokët e skuadrës. Të dytën e ka arritur në fakt.
Diego çoi në majën e botës një kombëtare mediokre në vitin 1986 dhe udhëhoqi një skuadër edhe më të dobët 4 vjet më pas, edhe pse ishte i limituar nga problemet fizike. Ishte i vetmi në një sport skuadre që ishte në gjendje të fitonte i vetëm.
Pelé kishte në krah kampionë absolute, si në ’58-ën ashtu edhe në ’70-ën. Di Stefano shkëlqeu me Realin në fundin e viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60. Cruijff bënte çudira me klasin e tij, duke udhëhequr një kolektiv sipas një logjike të paparë për kohën. Maradona shkoi më tej me kualitet të rrallë, të bashkuar me një lidership që nuk vinte vetëm nga superioriteti i tij teknik.
Të mbrosh shokët në çdo moment, të krijosh probleme, të zihesh me arbirtrat dhe kundërshtarët kur është e nevojshme… Klas dhe “gangster”. Një miks i papërballueshëm.
Messit gjithmonë i ka munguar e dyta. Më të mirën e ka dhënë me fanellën e Barcelonës, ku ka fituar gjithçka, shumë më shumë trofe se Diego, por ka pasur një raport torturues me kombëtaren. Pastaj diçka ka ndryshuar. La Barcelonën, fitoi Kupën e Amerikës një vit më parë dhe tani luan finalen e dytë në një Botëror 8 vjet pas Brazil 2014.
Mungon vetëm hapi i fundit, por mënyra si Leo po përballon Katar 2022 thotë shumë. Shokët janë gati të hidhen në zjarr për të, polemikat me van Gaal, fjalia me të cilën iu drejtua holandezit Weghorst (Ça shikon budalla? Ik andej), janë prova se Leo ndihet një lider dhe nuk e ka problem të nxjerrë në pah edhe instinktet më të këqija për të arritur qëllimin final.
Por mbi të gjitha mënyra si e ka marrë për dore skuadrën, duke u kthyer në pikë referimi brenda grupit… Ky është ndryshimi i vërtetë i madh i Mesit të Katarit, liderit teknik dhe moral.
Leo ka konfirmuar se do të jetë Botërori i tij i fundit. Me pjesëmarrjen në finale do të jetë lojtari me më shumë ndeshje në Kupën e Botës. Atij i intereson ta ngrejë Kupën, të mbyllë kështu një karrierë që do të ishte më e pasura dhe më e kompletuara në histori.