Aktualitet Kush ishte biznesmeni 49-vjeçar që u ekzekutua me armë në Tiranë

Kush ishte biznesmeni 49-vjeçar që u ekzekutua me armë në Tiranë

Një 49-vjeçar është vrarë me armë zjarri në një lokal në zonën e Selitës në Tiranë sot rreth orës 16:30.

Mësohet se viktima është Edmond Papa nga Saranda, sipas informacioneve nga Policia e Tiranës. 49-vjeçari mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës.

Por rreth orës 17:25 ndërroi jetë për shkak të plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Policia thotë se 49-vjeçari Papa u qëllua me plumba pistolete.

Në vendngjarje shkoi edhe shefi i Komisariatit Nr.2, Edmond Pjetri, i cili për gazetarët deklaroi se “është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Edmond Papa, 49 vjeç, që është banor në Sarandë. Ky shtetas, si rezultat i plagëve të marra, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Garantojmë se policia ka marrë të gjitha masat për hetimin e kësaj ngjarje me grup të specializuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe nga Komisariati i Policisë Nr.2. Policia është duke hetuar rrethanat e ngjarjes”.

Sa i përket autorit nuk ka asnjë të dhënë. Uniformat blu kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Papa u ekzekutua me 9 plumba pistolete në zonën e Selitës, në momentin kur po futej në një lokal në rrugën “Fadil Bodinaku”. Ai sapo kishte parkuar mjetin e tij “Mercedes-Benz G-Class” anës lokalit dhe po futej brenda në momentin kur u vra.

Autori ka qenë i maskuar me kapuç, sipas dëshmitarëve dhe është larguar me shpejtësi.

Edmond Papa ka qenë biznesmen disa prona në zonën e Ksamilit në Sarandë, mes tyre dhe një hoteli të njohur “Blue Sky” në qytetin bregdetar. Lidhur me këtë fakt policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi.

Një tjetër pistë është dhe ajo e prishjes së pazareve të drogës, ku dyshohet se ai ka qenë i dënuar në Greqi.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.