Një atentat tipik mafioz tronditi Athinën mbrëmjen e së dielës, kur dy shqiptarë u ekzekutuan me armë zjarri në mes të lokalit plot me klientë në lagjen “Nea Smyrni”.
Viktimat janë një 41-vjeçar dhe një 44-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare, por emrat e tyre nuk janë bërë të ditur.
Sipas mediave greke, autori i ngjarjes, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, dyshohet se ka pasur si synim të vriste 41-vjeçarin.
Atentatori kishte qenë në lulishten aty pranë lokalit dhe vëzhgonte zonën, por dhe objektivin e tij.
Mediat e Athinës, bazuar edhe në informacionet policore, raportojnë se autori ishte fshehur në një shkurre dhe doli prej andej papritur. Brenda pak sekondash ishte përballë tavolinës së shqiptarëve. Me gjakftohtësi, ai qëlloi 6 herë me plumba pistolete në drejtim të tavolinës së shqiptarëve.
41-vjeçari mbeti i vdekur me plumb në kokë. Policia greke dyshon se ai ka qenë objektiv i atentatit. Ndërsa shqiptari i dytë, një 44-vjeçar, vdiq më vonë në spital pasi kishte marrë plumb në bark.
Νέα Σμύρνη πριν. Μέσα σε κόσμο. Πάμε πολύ πολύ καλά #νεασμυρνη pic.twitter.com/NOWRMfC1wD
— island (@islandlayer13) December 18, 2022
E plagosur mbeti edhe një 31-vjeçare, e cila u qëllua aksidentalisht pasi ndodhej në tavolinën pas viktimave.
Mes rrëmujës, autori u largua me vrap nëpër rrugica. Ai ishte i veshur me xhup të zi me kapuç dhe në fytyrë mbante një maskë anti-covid.
Policia greke thotë se i ka pasur të skeduar të dy shqiptarët, njëri prej të cilëve njihej për grabitje, drogë dhe armëmbajtje.
Policia greke dyshon se atentati është larje hesapesh, ndërkohë që po kqyren kamerat e sigurisë si dhe po analizohet e shkuara e dy viktimave.