Gjykata e Lartë në Londër e shpalli të ligjshëm planin e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda.
Planet e qeverisë britanike u kundërshtuan nga një grup OJQ-sh, nga vetë azilkërkuesit dhe një sindikatë e shërbimit civil. Megjithatë, Gjykata e Lartë sot vendosi pro nismës, por megjithatë nuk munguan kritikat për Sekretaren e Brendshme, Suella Braverman.
Për këtë të fundit u vlerësua se dështoi që të analizonte siç duhej rrethanat e individëve të caktuar që do të zhvendosen sipas skemës.
Vendimi është marrë në një kohë kur numri i kalimeve ilegale në Kanalin Anglez ka arritur nivele rekord dhe kryeministri Rishi Sunak ka kërkuar mbështetje politike për të ndaluar mbërritjet e barkave të vogla.
Në prill, Britania e Madhe nënshkroi një marrëveshje me Kigali-n për të dërguar emigrantët që zbarkojnë në bregun e saj në Ruanda. Pra, kushdo që është futur në Britani në mënyrë ilegale do të mund të depërtohet në Afrikë, me përjashtim të fëmijëve që do të jenë të pashoqëruar.
Gjithsesi, deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje. Fluturimi i parë që u planifikua në qershor për deportim u bllokua në minutën e fundit nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Mediat në vend raportojnë për shifra në rritje të refugjatëve edhe nga Shqipëria, për të cilët së fundmi Britania e Madhe këmbëngul se vijnë nga një “vend thelbësisht i sigurt”.