Politika “SPAK apo ‘pak’?” Kryemadhi reagon pas dërgimit të dosjes së inceneratorit të...

“SPAK apo ‘pak’?” Kryemadhi reagon pas dërgimit të dosjes së inceneratorit të Fierit në Gjykatë

Monika Kryemadhi ka reaguar pas dërgimit në gjykatë të dosjes së inceneratorit të Fierit, për të cilin akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Në një postim në Facebook ish-kryetarja e LSI-së, thotë se janë akuzuar vetëm propozuesit e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe jo miratuesit e saj, që sipas saj janë Rama, Agaçi dhe Subashi.

“SPAK apo “pak”?? U njohëm sot me vendimin e S(PAK) për dërgimin e aferës së inceneratorit të Fierit në gjyq. U njohëm edhe me subjektet dhe me veprat penale konkrete që akuzohen. Habi e madhe të akuzosh propozuesit e një VKM-je për një shpronësim të paligjshëm dhe të mos akuzosh miratuesit e po kësaj VKM-je. Po Subashi, po Agaçi, po Rama, ku janë? Si i bie tashmë? SPAK apo “pak” fare?!?”, shkruan Kryemadhi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka depozituar në gjykatë dosjen për inceneratorin e Fierit për të cilin akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Sipas SPAK, Bllako, Koka dhe zyrtarët e tjerë kanë shkelur ligjin me procedurat e dhënies së koncensionit, si dhe kanë falsifikuar dokumentet për pronën mbi të cilën është ndërtuar ky objekt.

Gjithashtu, prokuroria ka depozituar dhe provat në lidhje me shkeljet e kryera nga kompania që ka marrë koncesionin.