Aktualitet Ministrja Krifca takim me homologun francez: Rritja e produktit shqiptar në tregjet...

Ministrja Krifca takim me homologun francez: Rritja e produktit shqiptar në tregjet franceze dhe bashkëpunim në bujqësi dhe blegtori

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca është takuar me homologun francez Marc Fesneau, për të diskutuar mbi rritjen e prezencës së produkteve bujqësore shqiptare në tregjet franceze si dhe për forcimin e programit të asistencës franceze për blegtorinë shqiptare nëpërmjet Institutit Blegtoral Francez, IDELE.

Dy ministrat diskutuan gjerësisht mbi zgjerimin e bashkëpunimit me Francën në blegtori, bujqësi, agropërpunim, veterinari dhe shërbimet agromjedisore mes dy vendeve tona.

Ministrja Krifca përveç kërkesës për të zgjeruar kontaktet mes tregjeve franceze dhe prodhuesve shqiptarë shprehu gjithashtu interesin për ta shtrirë projektin e asistencës në blegtori, përveç Korçës dhe Gjirokastrës, edhe në qarqe të tjera.

Ministrat gjithashtu dakordësuan mes tyre ndërtimin e planit konkret të punës për bashkëpunim cilësor në formën e asistencës teknike për fuqizimin e agjencisë së pagesave dhe rritje e shkëmbimeve të praktikave dhe standardeve mbi politikat aktuale të BE-së në bujqësi, marrëveshje e cila pritet të nënshkruhet në pranverën e ardhshme në Tiranë.