Sport Dybala dhe penalltia në finalen Argjentinë-Francë: Ju zbuloj pse godita në qendër

Dybala dhe penalltia në finalen Argjentinë-Francë: Ju zbuloj pse godita në qendër

Luajti vetëm 17 minuta mes gjysmëfinales dhe finales dhe megjithatë Paulo Dybala ishte vendimtar për fitoren e Argjentinës në Botërorin Katar 2022.

Në momentin që iu besua goditja e penalltisë në finale, ish-lojtari i Juventusit nuk zhgënjeu.

La Joya, mposhti portierin Hugo Lloris me një goditje qendrore, ndërsa zbulon edhe prapaskenat në lidhje me penalltinë duke theksuar se ndoqi këshillën e portierit Emiliano Martinez.

“E vërteta është se kur trajneri Scaloni më thërriti për t’u futur në fushë, e dija mirë se bëhej fjalë për të goditur penalltinë. U mundova të isha sa më i ftohtë, nuk ishte e lehtë sepse nuk ndodh që ta luash çdo ditë një finale Botërori. Ishte momenti im, u desh pak kohë që të mbërrija deri te topi para se të godisja.

Më erdhi në mendje biseda me Martinez, portieri ynë më këshilloi që të gjuaja fort dhe në qendër. Por, për një moment mendova të godisja në krah, por në fund mendova fjalët e Martinez; Fort dhe në qendër. Për fat shënova, pasi portieri u hodh në krahun që unë do të godisja”, u shpreh Dybala.

Në fakt, Lloris zgjodhi një anë duke parë topin t’i kalonte pak centimetra nga këmba. Por aq mjaftoi për gëzimin e Dybalas dhe popullit argjentinas.