Kylian Mbappé vazhdon të habisë botën e futbollit. Pas performancës së tij spektakolare në finalen e Botërorit, para vetëm 3 ditësh, sulmuesi francez i është kthyer stërvitjes me klubin e tij, Paris Saint Germain.
Mbappe kishte një leje 10-ditore nga klubi i PSG, ndërsa pritej që ta shfrytëzonte atë duke qenë se luajti një Botëror shumë impenjativ, por mbi të gjitha edhe sfilitës nga aspekti psikologjik për mënyrën si ai dhe Franca e mbyllën atë.
Por ndryshe nga futbollistët e tjerë që kanë marrë pjesë në Botëror, Mbappe ka hequr dorë nga pushimet që i ka dhënë klubi, për t’iu kthyer menjëherë përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit.
Sipas “Le Parisien”, arsyeja e kthimit të shpejtë në stërvitje është se Mbappe kërkon të harrojë sa më shpejt finalen e humbur me penallti ndaj Argjentinës.
Ndërkohë, Leo Messi, Achraf Hakimi, Neymar dhe Marquinhos, sa për të përmendur disa emra, janë ende me pushime pas turneut të zhvilluar në Katar.