Përpara përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, presidenti rus Putin premtoi përshpejtimin e përmirësimit të ushtrisë. Në të njëjtën kohë, ai pranoi edhe deficite.
Presidenti rus Vladimir Putin tregoi besim në fitore gjatë një fjalimi para oficerëve të lartë të ushtrisë. “Jam i sigurt se do t’i arrijmë të gjitha qëllimet tona hap pas hapi”, tha ai në një fjalim televiziv në një takim të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes ruse.
Ai shtoi se lufta ka qenë një përvojë e vlefshme për ndërtimin e mëtejshëm të ushtrisë ruse dhe bëri thirrje për përshpejtimin e ritmit të përmirësimit dhe modernizimit të ushtrisë. Nuk ka “asnjë kufizim financiar” kur bëhet fjalë për vazhdimin e pajisjes së ushtrisë. “Vendi dhe qeveria po ofrojnë gjithçka që kërkon ushtria,” tha ai. Putini përmendi përdorimin e dronëve si shembull. Çdo ushtar duhet të ketë “mundësinë e marrjes së informacionit nga dronët”.
“Situata është shumë e ndërlikuar”
Putin pranoi se thirrja e 300,000 rezervistëve që ai urdhëroi në shtator nuk kishte ecur pa probleme. “Mobilizimi i pjesshëm i kryer zbuloi, siç e dinë të gjithë, disa çështje që duhet të adresohen menjëherë”, tha ai.
Ai iu referua gjithashtu çështjeve të tjera në ushtri dhe tha se kritikat konstruktive duhet të merren parasysh. “I bëj thirrje Ministrisë së Mbrojtjes që të ndjekë nga afër të gjitha nismat civile, gjithashtu të marrë parasysh kritikat dhe të reagojë saktë dhe në kohën e duhur”, tha ai. Pothuajse dhjetë muaj pas pushtimit të 24 shkurtit, Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të Ukrainës lindore dhe jugore përgjatë një fronti prej 1100 km. Por ndërkohë, ushtria pësoi edhe një sërë disfatash që e përmbysën dinamikën e luftës në favor të Ukrainës.
Edhe blogerët e luftës pranë Kremlinit kishin shprehur zemërimin dhe shqetësimin e tyre për performancën e gjeneralëve rusë dhe sjelljen kaotike të mobilizimit. Zërat kritikë u ngritën veçanërisht muajin e kaluar, kur ushtria ruse u tërhoq nga Cherson-i.
“NATO shpalos potencialin e saj të plotë”
Putin tha se NATO po përdor potencialin e saj të plotë kundër Rusisë. Ai ftoi ushtarët e mbledhur të përfitonin nga përvojat e mëparshme në Siri dhe gjatë “operacionit special ushtarak” në Ukrainë.
Raketa ndërkontinentale e Rusisë Sarmat do të jetë operacionale në të ardhmen e afërt, shtoi ai. Ajo do të ishte në gjendje të niste një sulm bërthamor kundër SHBA.
Ushtria duhet të forcohet
Putini e quajti konfliktin në Ukrainë një “tragjedi të zakonshme”, por fajësoi për shpërthimin e armiqësive Ukrainën dhe aleatët e saj, jo Moskën. Ajo që po ndodh “nuk është rezultat i politikës sonë”, por i politikës së vendeve të tjera.
Një tjetër detaj ishte plani i Putin për krijimin e njësive të reja, në vende të cilësuar si delikate, por që në fakt janë kërcënime të hapura, si në rastin e njësive që do të krijohet në kufi me Finlandën, vend që nga neutral ka aplikuar për anëtarësimin në NATO.
Një tjetër lajm, është shndërrimi i dy qyteteve ukrainase të pushtuara në detin Azov, Beryansk dhe veçanërisht qyteti “martir” i Marupolit, teatër i një prej dyluftimeve më të ashpra të konfliktit në kompleksin e saj industrial, në baza ushtarake strategjike. Në ato porte mund të mbërrijnë edhe njësitë e flotës që sipas Putin nga janari do të pajisen me raketën hipersonike Zirkon, të cilësuar si “më e avancuara në botë”.
Putin shtoi se me hyrjen e raketës balistike Sarmat, vendi do të riorganizojë tërësisht edhe kapacitetet bërthzmore, duke dërguar në “pension” sistemet e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se është e nevojshme të rritet më tej numri i ushtrisë ruse. Forcat e armatosura pritet të rriten në 1.5 milionë ushtarë, duke përfshirë 695.000 “ushtarë me kontratë” – domethënë ushtarë që shërbejnë vullnetarisht në ushtri përtej shërbimit të detyrueshëm ushtarak.