Sot në Kuvend po diskutohet edhe projektligji i dekoratave. Kryeministri Edi Rama tha se ligji i ri e fut Shqipërinë në sistemin e vendeve europiane dhe e ndan nga komunizmi.
“Sot ne bëjmë një ligj i cili e rifut vendin tonë në sistemin e vendeve europiane. E ndan nga komunizmi jugosllav, komunizmi sovjetik, kinez, i gjithë atyre viteve që erdhën së bashku me furinë e dekoratave, medaljen, teneqeve dhe e fut në sistem si të gjitha vendet e tjera. Të gjitha vendet në Europë kanë të njëjtin sistem dhe kanë të njëjtat rregulla. Nuk ka bërë vaki, nuk i ka ndodhur askujt gjëma që na ndodhi ne, që arritëm të dekorojmë themeluesin e shtetit shqiptar. Presidenti i mëparshëm i Republikës arriti të dekorojë Ismail Qemalin. Është dekoruar Ismail Qemali”, u shpreh Rama.
Ai dha disa raste të titujve që sipas tij nuk duhet të jepen.
“Sot jemi i vetmi vend në Europë që kemi dhe një dekoratë të flamurit kombëtar dhe një titull “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” se si mund ta marrë këtë titull dikush është e patreguar. Kemi dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ka një Urdhër të motrave të Nënë Terezës, i kemi grabitur Nënë Terezës urdhrin “Urdhri i Nënë Terezës” dhe po të shikoni kush e kanë marrë janë njerëz që motra nuk janë vëllezër nuk janë. Dhe pastaj u bë dhe një karikaturë tjetër që u hoq urdhri në 2013 dhe u bë medalja”.
Sipas Ramës, vetëm në një moment shteti shqiptar ka qenë serioz e i integruar në bashkësinë e shteteve.
“Ne mendojmë se vetëm në një moment shteti shqiptar ka qenë serioz e i integruar në bashkësinë e shteteve, kur mbreti Zog mori modelin e nevojshëm nga jashtë e nderoi një sistem i cili është një sistem i integruar në sistemin e urdhrat e medaljeve ai që bazohet te Franca dhe ai që bazohet të Britania e Madhe. Në monarki nuk kishim tituj fisnikërie, në Republikë kemi tituj fisnikërie por nuk kemi fisnik. 110 vjet sot është njësoj si non grata që vjen vërdallë, dhe është të qeshësh e të qash në fushën e medaljeve. Ka debate për fjalën Komandar. Fjala Komandar është një fjalë që lakohet në të gjitha gjuhët është dhe fjala që ngriti mbreti Zog. Komandanti nuk mund të rrijë nën oficerin. Ky quhet humor kaps nga ana jonë dhe për këtë duhet përdorur vaj ulliri”.
Kreu i qeverisë nuk la pas ironitë për dekorimet pas vdekjes.
“Dekorimi pas vdekjes është tipik alla-shqiptar i alla-demokracisë. Një hamletologji e paimagjinueshme. Një tangërllik provincial i paparë, i pandeshur në historinë e planetit”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Me këtë ligj mbyllim këtë kapitull dhe sistemohemi në një vend në mozaikun e shteteve të Europës. Është i vetmi gur që mungon në atë mozaik dhe është guri i Shqipërisë”, theksoi Rama.