Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi të mërkurën ligjin për miratimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe dy kompanive të huaja për ndërtimin e një porti jahtesh dhe pallate shumëkatëshe në Portin e Durrësit, pavarësisht kritikave të opozitës dhe shqetësimeve të ngritura nga Bashkimi Europian.
Ligji i posaçëm u miratua me debate në Kuvend dhe krijoi polemika për procedurën e zgjedhur pa garë, duke vënë në lëvizje Bashkimin Europian që të kërkojë sqarime nga qeveria shqiptare për mospajtueshmëri me Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit.
Partia Demokratike i kërkoi presidentit që të mos e dekretonte këtë ligj, duke kërkuar rikthimin e tij për shqyrtim në Kuvend.
Në letër thuhej se vendi rrezikonte rikthimin e vizave me vendet Shengen, pasi marrëveshja shkelte parimet e MSA-së dhe parashikonte shitje të pasaportës shqiptare për blerësit e apartamenteve. Po ashtu, disa deputetë të PD-së e kanë ankimuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Marrëveshja e diskutueshme është lidhur mes qeverisë shqiptare dhe kompanive Eagle Hills Real Estate Development, Albania Seaports Development Company sh.a dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Ligji parashikon kalimin falas të një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në favor të investitorëve, ndërkohë që qeveria mbajti sekret një pjesë të marrëveshjes, që lidhet me të dhënat e pronarëve përfitues të njërës prej kompanive që qëndron pas investimit.
Në një reagim pas miratimit të saj në Kuvend, Delegacioni i BE-së në Tiranë i tha BIRN se po e monitoron këtë marrëveshje dhe se është ‘në pritje të sqarimeve nga qeveria’ shqiptare.
Delegacioni konfirmoi se BE kishte anuluar një grant prej 27 milionë euro për investime në projektin e mëparshëm të portit, si rezultat i “modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual”.
Por qeveria i zhvlerësoi kritikat dhe këmbëngul se ky projekt i shërben zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar dhe të gjithë vendit./BIRN