Kulla e Pizës është një nga atraksionet turistike më të njohura në Itali, me më shumë se gjashtë milionë vizitorë çdo vit, duke sjellë rreth 21 milionë euro për ekonominë vendase.
Por ndërsa ajo mbetet një tërheqje e madhe për miliona turistë, animi i kullës ka qenë një shkak për shqetësim midis inxhinierëve dhe historianëve për dekada.
Megjithatë, falë punimeve të stabilizimit, kulla ikonë ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme po “lëviz” për t’u ngritur në këmbë.
Dhe si erdhi ky përparim?
Kur punimet e ndërtimit në kullën e sahatit filluan në vitin 1173, vetëm pesë vjet më vonë ajo filloi të anonte. Punëtorët vunë re një zhvendosje gjatë ndërtimit të katit të dytë, e cila u shkaktua nga nëntoka e paqëndrueshme. Për të kompensuar, punëtorët ndërtuan katet e sipërme me një anë më të shkurtër se tjetra – që do të thotë se struktura ishte e lakuar dhe e anuar.
Në vitin 1990, kulla ishte ende e anuar drejt jugut, duke shkaktuar shqetësime se mund të shembet tërësisht, kështu që u mbyll për publikun, shkruan Unilad.
Për ta rregulluar këtë, inxhinierët vendosën të provonin “nxjerrjen e tokës”, që përfshinte gërmimin e dheut nga poshtë anës veriore të kullës. Më pas ata përdorën kabllo çeliku për ta tërhequr atë drejt, gjë që ishte efektive. Projekti përfundoi në vitin 2001 pasi kulla u drejtua me rreth 38 centimetra dhe që atëherë ka vazhduar.
Në 21 vjet që nga ajo kohë, kulla është drejtuar katër centimetra të tjerë, sipas një studimi të fundit. Një studim i fundit i financuar nga organizata e konservimit Opera Primaziale della Pisana (OPA) zbuloi se pjerrësia vazhdon të ulet, por ende lëkundet me një mesatare prej gjysmë centimetri në vit.
Zëdhënësja e OPA-së tha se duke qenë se bëhet fjalë për një “pacient” 850-vjeçar me pjerrësi rreth pesë metra dhe rrëshqitje mbi tre metra, “gjendja shëndetësore” e kullës së shtrembër është e shkëlqyer.