Aktualitet Klodian Lekocaj, pas vrasjeve në Greqi? Mediat helene: Ka një grup vrasësish...

Klodian Lekocaj, pas vrasjeve në Greqi? Mediat helene: Ka një grup vrasësish me pagesë

Vrasja e dy shqiptarëve, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja më 18 dhjetor në një lokal në Athinë, mund të jetë porositur nga burgjet e Greqisë.

Ky dyshim ngrihet nga mediat greke, të cilat, ekzekutimin e dyfishtë të rreth një javë më parë e lidhin dhe me vrasjen e Edmond Papës më 16 dhjetor në zonën e Selitës.

Lidhja që krijohet mes ngjarjeve të rënda kriminale vjen për shkak të njohjes që kishin viktimat me njëri-tjetrin, por dhe të së kaluarës së tyre në fushën e narkotikëve.

Sipas mediave greke, në vorbullën e hetimeve që po kryhen për këto ngjarje është përfshirë edhe një shqiptar i dënuar në Greqi.

Bëhet fjalë për Klodian Lekocajn, i konsideruar si kreu i një grupi vrasësish me pagesë, anëtarëve të të cilit u jep porosi nga burgu për llogari të grupeve të ndryshme kriminale.

Mediat greke shkruajnë se forcat speciale e kontrolluan qelinë e tij vetëm 2 ditë pas ekzekutimit të dyfishtë, në përpjekje për të gjetur prova.