Kryetari i PS-së Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të grupit parlamentar socialist të mos merren me protestën, por të përgatiten për seancën e të enjtes si dhe të shpërndahen nëpër zona.
Rama u ka kërkuar deputetëve që të mos merren me komente në rrjetet sociale për protestën e opozitës, por të dalin në zonat ku janë caktuar së bashku me të deleguarit e qarqeve për të takuar qytetarët.
Dje, kryeministri deklaroi se “protestuesit kanë të drejtë të kërkojnë edhe vetëlargimin e qeverisë, por nëse çadra që polli protesta e djeshme do shërbejë si streha për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi, ata, protestuesit e djeshëm do jenë të tradhëtuarit më të mëdhenj nga udhëheqësit e protestës së tyre. Unë s’kam asnjë formulë magjike për kuruar më shpejt plagët e të shkuarës”, tha Rama.
Gjate ditëve të protestës së demokratëve, kanë qenë të shumtë deputetët socialistë të cilët kanë ironizuar protestën e PD-së.