Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar konferencën e përjavshme me gazetarët. Kryedemokrati bëri një bilanc të vitit që po lëmë pas. Sipas Berishës, viti 2022 do të skalitet si viti i opozitës shqiptare. Ai shtoi se Rama dhe qeveria përdorën çdo mjet për të gjunjëzuar opozitën.
“Nuk mund të mbyllja vitin pa paraqitur një bilanc të vitit që lëmë pas në vlerësimin e PD-së dhe timin. Në këtë kontekst, viti 2022 do të skalitet në muret e kohës si viti i opozitës shqiptare. Do skalitet si viti i opozitës shqiptare sepse ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme të popullit opozitar, të PD-së, për qëndruar si opozitë e vërtetë u përdorën të gjitha mjetet e paligjshme kundër kësaj opozite, me qëllimin e vetëm, që ta mbanin atë një parti simotër të krimit në pushtet. Edi Rama dhe qeveria e tij përdori çdo mjet, çdo institucion, përdori policinë, shërbimin informativ, drejtësinë, me qëllimin e vetëm që të gjunjëzonte opozitën. Përdori bandat, përdori forma nga më të turpshme të korrupsionit, gjer dhe sulmet fizike të paprecedentë në historinë e këtij vendi, me qëllimin më ogurzi të zhdukjes së opozitës”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, 2022-shi është viti i opozitës sepse për herë të parë në historinë e vendit u aplikuan primaret.
“Viti 2022 është viti i opozitës, sepse për herë të parë në historinë e vendit u aplikuan primaret. PD iu përgjigj kësaj dhune të turpshme, antiligjore dhe antikombëtare me armën e lirisë. Ajo vendosi në themel të rindërtimit të saj, lirinë, dinjitetin e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj dhe u shndërrua në këtë drejtim në një ishull lirie në një vend ku vota e lirë ka marrë fund. E bëri këtë me besimin më të madhe se pa votë të lirë, nuk ka shtet ligjor. Pa votë të lirë nuk ka liri dhe të drejta njerëzore. Pa votë të lirë nuk ka ekonomi tregu dhe konkurrencë të lirë. Pa votë të lirë nuk ka të ardhme. Me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme, opozita ia doli jo vetëm të jetë lajmi dhe ideja e vitit, por t’i japë tonin jetës politike të vendit. Çdo shqiptar ka të drejtë të shpresojë dhe të besojë për një vit më të mirë, më me shpresë dhe më afër idealeve të tij”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD akuzoi qeverinë ndër të tjera për kapjen e institucioneve.
“Jashtë kontrollit të tij kishte mbetur një institucion de facto dhe ky ishte institucioni i presidentit. Në në procedurë jo kushtetuese Edi Rama uzurpoi edhe këtë pushtet, duke vendosur në Shqipëri, monizmin e plotë, duke mbjellur në këtë vend, dëshpërimin më të thellë, zhgënjimin më të madh”, u shpreh Berisha.