Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë ditën e sotme në deklaratën e përjavshme me gazetarët, teksa ka bërë një rezyme të ngjarjeve të ndodhura në vendin tonë, teksa është fokusuar kryesisht te qëndrimi i ambasadores amerikane, e cila sipas Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës kryetarin e saj.
“Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj. Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim.
Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitën kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve. Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar anti-korrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri.
Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë”, tha Berisha.
“Viti 2022 është viti i opozitës, sepse për herë të parë në historinë e vendit u aplikuan primaret. PD iu përgjigj kësaj dhune të turpshme, antiligjore dhe antikombëtare me armën e lirisë. Ajo vendosi në themel të rindërtimit të saj, lirinë, dinjitetin e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj dhe u shndërrua në ëktë drejtim në një ishull lirie në një vend ku vota e lirë ka marrë fund.
E bëri këtë me besimin më të madhe se pa votë të lirë, nuk ka shtet ligjor. Pa votë të lirë nuk ka liri dhe të drejta njerëzore. Pa votë të lirë nuk ka ekonomi tregu dhe konkurrencë të lirë. Pa votë të lirë nuk ka të ardhme.
Me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme, opozita ia doli jo vetëm të jetë lajmi dhe ideja e vitit, por t’i japë tonin jetës politike të vendit. Çdo shqiptar ka të drejtë të shpresojë dhe të besojë për një vit më të mirë, më me shpresë dhe më afër idealeve të tij”, theksoi Berisha.